/2L ONLINE/ – Që nga sot, e deri të mërkurën, në Viti do të mbahet trajnimi në kuadër të projektit “Kultura në Aksion” i cili financohet nga Komisioni Evropian. Ky trajnim është pjesë e projektit të madh që komuna e Vitisë ka përfituar përmes Zyrës së Komisionit Evropian në bashkëpunim me komunën e Likovës.
Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, e vlerësoi si shumë të rëndësishëm këtë projekt për faktin se është donacion i Bashkimit Evropian, pasi që Vitia ka qenë përfitues i shumë projekteve të tyre.
“Ne kemi arrit si komuna e parë të jemi përfitues të projekteve të BE-së vitin e kaluar, duke llogaritur parkun e Qytetit, Projektin e Shtëpisë së Kulturës që do të realizohet së shpejti etj. Mirëpo ky projekt i bashkëpunimit ndërkufitar, është i dobishëm edhe për faktin se kemi një bashkëpunim me një komunë të shtetit tjetër Maqedonisë , me komunën e Likovës.”, tha kryetari Haliti.
Ai ka përmendur edhe shtimin aktiviteteve kulturore e sportive në komunën e Vitisë dhe ringjalljen e jetës kulturore në këtë komunë. Ndërsa ka theksuar se Vitia është ndër komunat më të mira për zhvillimin e aktiviteteve të kulturës.
Duke pasur parasysh se është një projekt që krahas investimeve që bëhen në ngritjen e kapaciteteve edhe teknike në komunën tonë në aspektin e zhvillimit të kulturës, është paraparë mbështetja e grupeve të ndryshme kulturo artistike, si dhe klubeve sportive në mënyrë që të ngritën kapacitetet dhe të jenë më aktive në zhvillimin e jetës kulturore e sportive.
Në këtë trajnim 3 ditor, pjesëmarrësit do të aftësohen dhe të njoftohen më shumë rreth formave të aplikimit për përfitimin e grandet të cilat komune e Vitisë si përfituese e projektit do ti ndaj për organizatat, grupet, klubet apo shoqatat artistike e sportive të kësaj komune.
Koordinatori i projektit “Culture in action” Valon Xoxa, ka thënë se është një projekt 18 mujor që ka filluar të implementohet nga tetori i vitit 2014, e që ka për qëllim përmirësimin e jetës kulturore në dy anët e kufirit.
“Ky projekt do të ndikoj në përmirësimin e jetës kulturore në dy komunat përfituese të projektit të BE-së, e në këtë rast në komunën e Vitisë parashihet modernizimi dhe aktivizimi i kinemasë së qytetit, fuqizimi i shoqërisë civile përmes trajnimeve në ditët në vijim, si dhe do të kemi grande që do i përkrahë në mënyrë të drejtpërdrejtë organizatat, grupet e ndryshme që do të aplikojnë me projekte që parashohin përmirësimin e jetës kulturore e shoqërore në komunën e Vitisë. /2L ONLINE/