Andaj, njohjet që Republika e Kosovës ka arritur t’i sigurojë gjatë këtij dhjetëvjeçari të parë nuk mund të trajtohen si kontribut ekskluziv i qeverisë së Kosovës, por si bashkërendim strategjik dhe në koordinim të plotë me shtetet perëndimore.
Shkruan: Fatmir ARIFI
Kjo çështje duhet të analizohet nga dy këndvështrime: njohja sasiore, e cila ka për synim që subjekti i së drejtës ndërkombëtare, në këtë rast shteti të hartojë strategji politike për të qenë një aktor në politikat shumë-vektorëshe. Kjo rëndom është synim i fuqive të mesme dhe i fuqive të mëdha.
Së dyti, janë njohjet cilësore që zakonisht praktikojnë shtetet e vogla, të cilat kanë për synim krijimin e marrëdhënieve bilaterale me ato shtete, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në kuadër të sistemit ndërkombëtar.
Njohjet e Republikës së Kosovës i përkasin kategorisë së dytë, pra janë njohje cilësore dhe ky fakt nuk është për t’u nënvlerësuar.
Por ajo që do të duhej të na shqetësojë është se Republika e Kosovës edhe pas këtij dhjetëvjeçari nuk po arrin të krijojë një mendësi shtetërore, pjesë e së cilës është edhe diplomacia.
Krijimi i mendësisë shtetërore dhe i diplomacisë në mënyrë të përshtatshme, mund të çojë në përmirësimin e marrëdhënieve të ndërsjella dhe rezultate më të mira me shtetet e tjera që ende hezitojnë ta njohin atë.
Ne jemi treguar që kemi mungesë të të menduarit në diplomaci. Duhet ta kuptojmë se politika e jashtme është veprim strategjik dhe i koordinuar me shumë sektorë të tjerë qeveritarë që çon në një ndërveprim kompleks që identifikohet me mendësinë shtetërore, veprim i cili nuk duhet të shikohet si një qëllim në vete dhe i shkëputur nga sektorët e tjerë.
Ky proces padyshim që kërkon, në mënyrë të pashmangshme, krijimin e një diplomacie kombëtare dhe shumë profesionale.
Kur e them diplomaci kombëtare këtu e marr në konsideratë hapësirën gjeografike shqiptare në Ballkan, pasi që shqiptarët gjeografikisht shtrihen në atë që me terma gjeopolitikë, quhet zemra e Ballkanit.
Krijimi i një mendësie shtetërore në kuadër të trendeve globale që po zhvillohen do të bëjë detyrimisht që diplomacia jonë duhet t’i nënshtrohet një përpunimi të koncepteve të reja, të ndërmarrë iniciativa të reja, të sugjerojë zgjidhje të reja dhe të definojë karakteristika të veçanta në kuadër të dinamikave të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Deri më tani, unë nuk kamë parë sjellje të tilla qoftë në republikën e Kosovës, qoftë në atë të Shqipërisë, por përkundrazi, përfaqësitë diplomatike tonat janë shndërruar në vend punësime të militantëve të partive të ndryshme politike se sa në përfaqësi të denja të interesit tonë kombëtar në botë.