/2L ONLINE/ – Lëvizja Vetëvendosje mbajti sot konferencë për media ku u paraqitën vërejtjet ndaj programit për shëndetësi, të Qeverisë Mustafa – Thaçi. Deputetja Besa Baftiu tha se programi i kësaj qeverie për shëndetësi e ka titullin “Shëndetësi moderne”, por asgjë brenda atij programi nuk përkon me këtë titull.
“Të pretendosh të kesh shëndetësi moderne, do të thotë të kesh tjetër qasje ndaj problemeve që kanë kapluar sektorin e shëndetësisë në të gjitha nivelet. Së pari, buxheti i cili është ndarë për këtë sektor nuk premton se do të ketë përmasime të këtij sektori, jo vetëm në këtë vit por as edhe në vitet në vijim, sepse buxheti i planifikuar për vitet e ardhshme shkon duke u zvogëluar”, theksoi Baftiu, duke shtuar që programet hartohen pas analizimit të situatave, duke specifikuar problemet, duke i dhënë prioritetet bashkë me implikimet buxhetore, si dhe afatet kohore, të dhëna këto që nuk i gjejmë në këtë program.
“Këtu gjejmë retorikën e tash e 15 viteve të dëgjuara nga të gjitha qeveritë e kaluara. Këtu thuhet se do të vazhdojmë të bëjmë disa korrigjime, por asnjëherë nuk thuhet se do të ndryshojmë. Për shembull, thuhet se do të vazhdojmë me reformimin e sistemit shëndetësor, por në çfarë forme dhe sa do zgjasë nuk ceket. Po ashtu, edhe sigurimet shëndetësore që janë premtuar se do t’i kemi që nga janari i këtij viti, thuhet se do të fillojnë vitin e ardhshëm”, tha ajo.
Mirsad Shkreta nga Komiteti për shëndetësi i Lëvizjes Vetëvendosje, foli për qasjen joserioze dhe kundërthënëse të programit, që nga mënyra e financimit, e deri tek mungesa e strategjisë adekuate për realizimin e prioriteteve dhe reformave shëndetësore. “Baza kryesore për të cilën qeveria është angazhuar në këtë program është financimi që do të sigurohet nga sigurimet shëndetësore, kurse një fjali më poshtë thotë se kjo nuk mund të realizohet dhe se në dy vitet e ardhshme ne do të rrisim buxhetin për shëndetësi. Tashmë e dimë që nuk do të rritet buxheti as në vitet në vazhdim. Pra, ka kundërthënie mes dokumenteve që i shkruan vetë Qeveria”, potencoi Shkreta. Ai theksoi se në çdo prioritet kemi diskutim mbi funksionalizimin e shumë çështjeve, e tendenca për funksionalizimin nuk garanton shëndetësi moderne por veç konstaton faktin që shumë segmente të sistemit shëndetësor janë funksional bile edhe për funksionalizimin funksionalizim e departamentit të kardiologjisë invazive dhe kardiokirurgjisë, përderisa ish ministri i shëndetësisë që sërish pjesë e kabinetit qeveritar pati thënë se këto departamente janë funksionalizuar.
Prioritetet e Qeverisë për shëndetësi thuhet se janë sinkronizuar me prioritetet e strategjisë evropiane 2014-2020, përderisa ne vazhdojmë të jemi vendi i fundit në rajon e lëre më në shtetet e BE-së qoftë për financim, qoftë për ngritje të cilësisë së shëndetit, qoftë për numrin e vdekshmërisë, qoftë për vitet e jetëgjatësisë së pacientëve. “Të dhënat e Organizatës Botërore e Shëndetësisë (OBSH), tregojnë 85% të mjeteve të shpenzuara nga qytetarët shkojnë për barna, kurse Qeveria për kokë banori ndanë vetëm 12 euro në vit. Për më keq, Kosova vazhdon të mos ketë as infrastrukturë ligjore për listën esenciale të barnave, duke e ditur që kjo është jetike për funksionimin e sistemit shëndetësor”, tha ndër të tjera Mirsad Shkreta, i cili e përmbylli këtë konferencë duke theksuar se kjo politikë shëndetësore shton varfërinë e popullatës nga 7% në vit, dhe se më nuk mund të flasim as për një listë dëshirash nga ana e Qeverisë, por për politika të qëllimshme për degradimin e sektorit publik, në favor të përfituesve nga sektorin e shëndetësisë. /2L ONLINE/