Pardje, pikërisht në ditëlindjen e tij të 65, Profesor i lëndës së Kimisë – Nebi Latifi u pensionua nga puna e tij si punëtorë arsimi pas 3 dekada e gjysmë. Profesor Nebiu u lind në fshatin Kmetoc më 18 prill të vitit 1955. Shkollimin fillore e kreu në fshatin Kmetoc dhe Përlepnicë, ndërsa gjimnazin në Gjilan, kurse studimet për kimi i përfundoi në Prishtinë.
Shkruan: Nevzad Isufi
Në pjesën tjetër të jetës e punës, parësore pati arsimin, jo vetëm si një detyrë e profesion, por si një mision. Profesor Nebiu në arsim kishte filluar të punonte që nga viti 1983, fillimisht në gjimnazin e Kamenicës deri në vitin 1986, pastaj në Gjilan, me përqendrim në shkollën e mesme profesionale teknike “Mehmet Isa”, por disa orë mbante edhe në shkollën e mesme profesionale të Bujqësisë “Arbëria”.
Pra, ai kishte filluar punën 2 vjet pas ngjarjeve të vitit 1981, kur puna në rolin e misionarit në arsim, posaçërisht në arsimimin shqip, po pësonte trysni dhe ishte gjatë gjithë kohës nën llupë, në kuptimin e “fajtorëve kryesorë” të edukimit të gjeneratave të reja që do sfidonin pushtetin, i cili nuk po mund të pajtohej që edhe shqiptarët nën kreaturën artificiale të quajtur Jugosllavi, po synonin trajtim të barabartë.
Nuk po pajtoheshin me cungimin e të drejtave të tyre, me pozitën e të nënshtruarit, me pozitën e atyre që heqin dorë nga të drejtat e tyre themelore e atyre kombëtare. Këtë profesor Nebiu, por edhe shumë kolegë të tij, që arsimin do e shohin si mision do ta kenë parasysh gjithmonë.
Pra, profesor Nebiu arsimimin nuk e shihte të mundshëm pa komponentën e edukimit kombëtar, të cilën do e ketë parasysh atëherë, po edhe në vazhdimësinë e punës së tij. Vitet në vazhdim do të sjellin gjithnjë e më shumë vështirësi jo vetëm në fushën e arsimit, por edhe në fusha të tjera të jetës e punës. Do vijnë vitet ’89 e ’90-ta, kur shqiptarëve do t’u cungohen të drejtat edhe “de facto e de Jure”, duke u uzurpuar edhe atë pak autonomi në letër dhe si shumicë shqiptarëve do u vihet tiketa e fajtorit kujdestar për gjithë çka, por me theks të veçantë në arsim, duke e bërë atë një mollë të ndaluar, si në kohët e pushtimit osman.
Shqiptarëve, shkollimi, shkollat e tyre dhe universiteti i tyre do t‘u mbyllen, duke u konsideruar shkollimi dhe veprimin e i tyre në këtë fushës, si ilegal e të jashtëligjshëm dhe ky është një tregim i gjatë tashmë i njohur për të gjithë. Pra, Profesor Nebiu do të jetë pjese ekipit që do të sigurojnë bartin dëftesat me titullin zyrtar “Republika e Kosovës”, të shpallur më 7 shtator. Ai do të punoj me përkushtim për arsimin shqip, po thuaj pa kompensim (në shtëpitë-shkolla) pas viteve ’90-ta, në të ashtuquajturin mësim “paralel” siç e quanin pushtuesit serbë, të cilin, ata me okupimin e tyre klasik, na sollën deri në imponimin e Luftës sonë çlirimtare, po ashtu që është një tregim i gjatë, krenar e i dhimbshëm.
Profesor Nebiu, si kimistë do të mund të jepte kontribut shumë të madhe edhe në fushën e shkencës së kimisë, në fushën eksperimentale, por që rrethanat e kohës nuk ia mundësuan. Ai është dhe mbete një dashamirës shumë i madh i ambientit, ai i njeh burimet minerale të Gjilanit e Anamoravës, të tokës së vendit tonë dhe flet me përkushtim për to. Ai njeh, di dhe flet me kompetencë edhe për dëmet që i shkaktohen e mund t’i shkaktohen natyrës e tokës, ujit dhe ajrit dhe këshillon me dëshirë e pa përtesë sa herë që i jepet rasti, si një ambientalist i devotshëm. E bënë këtë me nxënësit, kolegët, qytetarët, bashkëfshatarët e kudo. Këtë ai e dëshmon jo vetëm me fjalë por edhe me punë, me shembullin personal, duke qenë kultivues i perimeve e pemëve frutore në mënyrë sa më natyrale (bio), jo vetëm për vete, por edhe për të tjerët, të cilat janë të kërkuara dhe që konsumohen me kënaqësi e me siguri të plotë nga qytetarët, e në veçanti ata të cilët e njohim mirë profesorin Nebi.
Profesor Nebiu duke e parë se profesioni i kimistit dhe puna në arsim në kushtet e përmendura më sipër, përpos që nuk siguronin një mirëqenie por edhe mund të rrezikohej, ai do bëhet edhe një instruktor profesional, që do përgatis edhe gjenerata të tëra të drejtuesve të automjeteve. Duke qenë se pjesa dërmuese e tyre ishin të rinj, ky kombinoi rolin e tij të edukatorit të ushtruar në arsim dhe atë të instruktorit ia mundëson atij për të nxjerrë drejtues të aftë e të përgjegjshëm të automjeteve (shoferë).
Profesori Nebi është një aktivist i gjithanshëm por edhe një humanist që nga vitet ’80-ta dhe vazhdon të mbetet edhe sot e tutje. Ai nuk ka refuzuar asnjëherë ndonjë aktivitet të mundshëm e të dobishëm e humanitar, për shoqërinë e për çështjen kombëtare, as në vitet e ’90-ta, as në kohën e luftës e as në atë të pasluftës. Nga vitet 2013-2014 është anëtarë i Lëvizjes Vetëvendosje dhe është zgjedhur kryetar i Pikës në fshatin Kmetoc. Ka qenë kandidat për anëtar Kuvendi në zgjedhjet lokale të vitit 2014, është anëtarë aktiv i Nënkomitetit të Arsimit në Qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, por nuk është ekspozuar asnjëherë, por gatishmëria dhe puna si ka munguar asnjëherë.
Të gjitha këto që thash për profesorin Nebi, e kanë burimin edhe te prejardhja e tij familjare, nga një burim i shëndosh i një trungu të një familje punëtore, të ngritur e bujare, të tillë çfarë ka krijuar edhe ai vet.
Profesorin Nebi nuk është se jeta e ka përkëdhelur, madje ai ka pasur edhe momente të vështira e të dhembshme që kanë lënë gjurmë në jetën e tij, të cilin ai e ka ndryrë në vetvete, por që e ka fisnikëruar edhe më shumë shpirtin e tij bujar. Ai është dhe mbetet shumë i dashur për nxënësit, i afërt e bashkëpunues me kolegët, që përshtatet në bashkëbisedim me të gjitha moshat, që e kupton si seriozitetin, si shakan pa hatërmbetje. Në punë si edukator, mësimdhënës, koleg, aktivist e humanist e njeri, mbetet të merret shembull. Dhëntë zot të ketë edhe më tutje shëndet të kënaqshëm dhe pensionimi do të jetë vetëm njëra anë e medaljes, ndërsa ne do kemi mundësi të kemi në shërbim, këshillat e tij profesionale a ambientaliste, por edhe në aktivitete, ashtu edhe në atë të përvojës së pasur jetësore të tij.
Ne kolegët e tij gjithsesi do e ruajmë mirënjohjen për të e do e kemi shembullin e një edukatori me vlera klasike e bashkëkohore në punë, por edhe të një njeriu me vlera universale, jo lehtë të kompensueshme dhe ndjehemi të hendikepuar që në këtë kohë pandemie, nuk patëm rastin ta ndajmë nga afër këtë emocion të tij e tonin, me rastin e pensionimit, ashtu siç rëndom do e ndanim në një kohë tjetër, gjë të cilën profesori Nebi e kupton dhe na mirëkupton. Urimet më të mira e të përzemërta për ditëlindjen, pensionimin, për jetën në vazhdim! Presim të të shohim e urojmë edhe nga afër, duke pirë kafe e biseduar.