Më bukur se profesoreshës Ziza Ismajli, askujt nuk i rri epiteti mësimdhënëse e pedagoge shembullore, nënë e familjare e përkushtuar, kolege e urtë, e dashur, e mirëfilltë, punëtore dhe e atillë që do t’a dëshironte secili kolektiv.
Më shumë se tri dekada punë, mund e sakrificë, në betejën për nxënien dhe shpërndarjen e dijes, në ngjalljen e dashurisë tek nxënësit për gjuhën e letërsinë shqipe, për traditat tona kombëtare, për dije e për një të ardhme të fëmijëve tanë, ky është kontributi i profesoreshës Zizë, e cila me nder e përmbylli karrierën e saj prej mësimdhënëse, por që tashti tërë këtë thesar të dijes ajo do shpalos tek nipat e saj.
E lindur në vitin 1957, pikërisht para 65 vitesh në fshtain Lutogllavë të Komunës së Pejës, Zizë Ismajli mësimet në shkollën fillore i ndoqi në fshatin e saj, për të vazhduar shkollimin e mesëm në Shkollën “11 maji”, tashti e pagëzuar Bedri Pejani.
Dashuria për popullin shqiptar, për gjuhën dhe letërsinë e këtij populli kishte bërë që tek Ziza të ngjallë dëshirën për studimin e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, studime të cilat i përfundoi me sukses dhe duke qenë se edhe bashkëshorti i saj, profesori e drejtori Ruzhdi Ismajli ishte mësimdhënës i kësaj lënde, edhe profesoresha Zizë karrierën e saj prej mësimdhënëse e nisi në vitin shkollor 1991/1992, pikërisht atëherë kur ishte më së vështiri, ngase ish-sistemi po përzinte nxënësit shqiptarë nga objektet shkollore.
Vite me radhë ajo punoi në Gjimnazin “Zenel Hajdini” dhe me krijimin e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” ajo vazhdoi punën aty deri në pensionim.
Ziza Ismajli është nënë e tre fëmijëve Arbërit, Artës dhe Arbenit, si dhe e gjashtë nipave të mrekullueshëm: Arti, Ari, Aldi, Arbesi, Benari dhe Rubeni.
Tashti, kur ajo ka mbushur moshën e pensionimit dhe kur ka përmbushur në plotni misionin e saj në arsimimin dhe edukimin e shumë gjeneratave të arta, të cilët tanimë janë shtylla kryesore e ndërtimit dhe rindërtimit të Republikës sonë, me krenarinë më të madhe i themi “Faleminderit profesoresha Zizë për tërë atë që dha për nxënësit, për kolegët dhe kohën që punove”.
Drejtoria e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, kolegët dhe i tërë kolektivi, por edhe shkolla ku ka punuar më herët i dëshirojnë profesoreshës Zizë gjitha të mirat, jetë të gjatë pranë familjes së saj, duke mbetur për ne një udhërrëfyese se si duhet të jetë një mësimdhënëse e mirëfilltë.
BURIMI: kryelajmi.com