Me dhimbje të madhe e morëm lajmin për vdekjen e papritur të mikut të madh, kontribuesit të kulturës, ikonës kulturo-artistike të valleve burimore shqiptare prof. Abdyl Rama.
Shkruan : Sami ARIFI
Duke ditur se kultura shkëputë zinxhirtë e robërisë te popujtë e robruar, Abdyl Rama ka dhënë kontribut të pakontestuar në lëmin e kulturës në Anamoravë dhe në të gjitha trojet shqiptare, e në veçanti në duet të valleve shqipe, bashkë me vëllaun e tij Fadil Rama nga Pozherani. Ansambli i Këngëve dhe i Valleve Burimore (AKVB) “DASMA” në Pozhera dha një kontribut të pakontestuar përmes lëmit të kulturës në ruajtjen e identitetit kombëtar në kohën kur rrezikohej qenja kombëtare shqiptare.
Pra, ishte dueti i valleve burimore nga vëllezërit Abdyl e Fadil Rama, të ruajtura brez pas brezi, trashigimi nga e kaluara e lashtë historike nëpër kohë, deri në ditët tona. Vallet burimore shqipe ishin ruajtur dhe kultivuar edhe te babai i vëllezërve Rama, që në popull ai njihej me emrin Isuf Pozherani. Shoqëria kulturo-artistike në Pozheran ishte themeluar në vitin 1970 e emruar “Përparimi”, ku ishte i veçuar në pjesmarrëje Abdyl Rama, përvoja e të cilit ishte kultivuar si fëmijë e trashguar nga familja, pjesëmarrëja e tij gjithmonë e ndriçonte Ansamblin e Pozheranit në të gjitha trevat shqiptare e më gjerë.
AKVB ishte aktive pothuajse në të gjitha festivalet, si në atë “Karadaku 2007” me një paraqitje artistike të mrekulluar që u vlerësuar AKVB me vendin e parë, po në të njejtin vitë edhe në Gjonaj të Hasit AKVB kishte një performancë të shkëlqyer me shpërblime, ku vallëtari më i dalluar u shpall Abdyl Rama.
Aktiviteti kulturo-artistik i vëllezërve Abdyl dhe Fadil Rama ishte pothuaj se në të gjitha trevat ku jetonin shqiptarët, përmes Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Burimore “DASMA” të Pozheranit, po edhe si duet në vallet burimore shqipe, në Shqipëri, në Maqedoni, në Mal të Zi, madje edhe në Turqi. Një performancë të jashtëzakonshme në Gjirokastër e bën AKVB “DASMA” e Pozheranit në “Festilalin Folklorik Kombëtar”-Gjirokastër më 24 deri më 29 shtator 2009, nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Qendra Kombëtare e Veprimeve Folklorike-Bashkia Gjirokastër i jepet “Çertifikat” Abdyl Ramës.
Në Festivalin “Revista e Folklorit Burimor Shqiptar”-Drenasi më 25. 09. 2010, me Çmim Karriere i jepet Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Burimore (AKVB) “DASMA” të Pozherani, ndërsa vëllezërve Abdyl dhe Fadil Rama, iu dha çmimi për interpretim të lartë artistik të vallës burimore shqiptare.
Dy vëllezër si një shqiponjë: Abdyl dhe Fadil Rama shkëlqejnë me vallet e tyre kudo në trojet shqiptare
Për prezentimin e valleve në mënyrë artistike, shumë, të përsosur vëllezërit Rama u shpërblyen me një varg çmimesh, si me rastin e organizimit të Festivalit Mbarëkombëtar, zunë vendin e parë “Vallja Dyshe e Trashëguar në Breza”, shpërblimi për dy vëllezërit Rama ishte me Përkrenarën e Skënderbeut, çmimi për karierë dhe interpretim të lartë-Librazhd tetor 2010.
Prap në Libtazhd në vitin 2011 zënë vendin e dytë. Gjithashtu edhe në Festivalin Ndërkombëtar në Shkup në vitin 2015 shpërblehën si duet vëllezërit Abdyl e Fadil Rama. Pastaj me rastin e shënimit të përvjetorit të rënjes së dëshmorit Nijazi Azemi-Komandant- “Mjekrra”, manifestim ky tradicional, kulturo-sportiv, Festivali i Shoqërive dhe Ansambleve Kulturore “Flakadani i Karadakut 2010”, vlerësohet Abdyl Rama me çmimin “Valltari më autokton”.
Edhe “Revista e Folklorit Shqiptar-Drenas 2010” vlerësohen vëllezërit Abdyl e Fadil Rama me çmimin e “Karierës për interpretimin e nivelit të lartë të valleve burimore shqiptare”. AKVB pastaj edhe në Turqi në qytetin e Bursës në vitin 2013, u shpërblye me Mirënjohje. Ansambli Kulturor i Valleve Burimore “DASMA” e Pozheranit ishin në aktivitet artistik edhe më 21 prill të vitit 2013 në Shodër gjatë ditës, si dhe në mbrëmje edhe në Krujë në manifestimin e fitorës së betejës Gjergj Kastrioti-Skënderbeu së bashku me arbëreshët e Italisë. Aktiviteti i këtyre artistëve të mëdhenjë të Anamoravës nuk mundë të përshkruhet përmes një artikulli, meqë ishte i shumtë dhe i pandalshëm edhe në ditët e sotme në kultivimin e valleve burimore shqipe.
Abdyl Rama artisti i madh, princi i valleve shqiptare, ikonë kulturo-artistike e valleve burimore shqiptare ndrroi jetë, por vepra e tij artistike në kulturën shqiptare do të jetë e përjetëshme. I përjetshëm qoftë kujtimi për ty Abdyl Rama, miku i madh i kulturës shqiptare, prania e veprës së juaj artistike do të jetë gjithmonë aty ku ka gjallëri, artistët mbetën të pavdekshëm në kujtesën e popullit tonë ! miku i madh i valleve burimore Abdyl Rama.