(Ndërveprimtaria sociale dhe konfliktet shoqërore)
Si tipare më karakteristike që e reflektojnë personalitetin e devijantëve potencial konsiderohen anksioziteti, fobitë, jovetëbesimi, komplekset, frustracionet, neurozat, për të rrëshqitur drejt psikozës dhe psikopatisë. Nisur nga kjo, disa psikoanalistë kanë krijuar edhe një koncept të ri të quajtur sociopati, që nënkupton dukurinë e çrregullimit psikosocial për integrim në shoqëri. Ndërsa tipi sociopat quhet njeriu i cili vazhdimisht bie në konflikt me rrethin shoqëror.
Nexhat BUZUKU
(2LONLINE) – Më mirë se kushdo e ka analizuar psikopatinë e njerëzve themeluesi i Psikoanalizës, Sigmund Frojdi, në teorinë e personalitetit psikodinamik. Në thelb të teorisë së tij është e pavetëdijshmja, Sipas Frojdit, e pavetëdijshmja nuk është një strukturë por një formë. E pavetëdijshmja përmban mendime dhe ndjenja ndaj të cilave nuk jemi në dijeni. Sjellja bazohet në prirje të pandërgjegjshme. Disa nga këto prirje janë shkatërruese, si agresiviteti dhe lakmia.
Duke iu referuar Frojdit, personaliteti ndahet në tre struktura: idi, ego dhe superego. Idi është institkti i pranishëm që në lindje. Ai kërkon kënaqësi të menjëhershme dhe vepron me atë që Frojdi e quan parimi i kënaqësisë. Motoja e idit është “nëse diçka të bën të ndjehesh mirë, bëje atë”. Pra, idi është tip destruktiv, hakmarrës, me energji negative, ku tjetri është gjithmonë fajtori.
Këto tri struktura të personalitetit (idi, egoja dhe superegoja) janë në konflikt të përhershëm, dhe sikur mund të supozoni, pjesa më e madhe e konfliktit përfshin idin dhe superego. Egoja qëndron, në mënyrë figurative, midis idit dhe superegos. Në përpjekje për ta përballuar ankthin që prodhohet nga konflikti i superegos dhe idit, ego-ja përdor mekanizmat mbrojtëse si teknika përballimi, si mohimi, zhvendosja, projektimi
Ndërkaq, psikologu gjerman Kreçmer në tipologjinë e tij të personalitetit flet edhe për tipin SKIZOTIM, i cili është i izoluar, preferon vetminë, është pjesërisht i tërhequr, ngacmohet lehtë, tenton ta mbajë ndonjë ide me këmbëngulje dhe në mënyrë fanatike. Ky tip personaliteti të çrregulluar ndaj të tjerëve është i ftohtë, duke paraqitur tipare të reagimeve esktreme, karakteristikë e tipave skozofrenë dhe psikopatë.
Personat e tillë kanë problem me socializimin, me integrimin në rrethin shoqëror, dhe, të tillët zakonisht duken të ngrysur, shpeshherë të egërsuar, nuk arrojnë të krijojnë shoqëri rreth tyre. Më së miri ka pasqyruar jetën e individit dhe grupit, psikologu dhe sociologu amerikan në Shkollën e Çikagos, Xhorxh Herber Mid, por edhe Herbert Blumber, në teorinë e tij të njohur si “Interaksionizmi simbolik”, përkatësisht ndërveprimtaria sociale. Mid thoshte se veprimet e individit vërehen gjithmonë në mënyra të dyanshme, secili vëzhgon sjelljen e tjetrit dhe anasjelltas, duke qenë gjithmonë pasqyrë për tjetrin, dhe atij tjetrit për të parin e kështu me radhë.
Nga këtu buron edhe kuptimi i tipave me sjellje psikopatike.
Personat psikopatë kanë më pak masë të hirtë në regjionet e trurit që, te të tjerët, komandojnë kuptimin për emocionet e njerëzve tjerë.
Neurologët britanikë kanë skanuar trurin e kriminelëve dhe kanë gjetur anomali në strukturën e tyre. Psikopatët njihen si njerëz me dëmtim të rëndë të personalitetit dhe terapia e zakonshme nuk bën punë te ta. Ata i karakterizon paskrupullsia dhe mungesa e pendesës ose e ndjenjës së fajit për krimet që bëjnë. Ata fajësojnë të tjerët, dhe për çdo gjë në jetën e tyre fajtori është tjetër. Janë të prirur për konsruksione, tautologji të përsëritur pothuaj të përhershme, sjellje, veprime e qasje destruktive, negativitet dhe mohim.
Por megjithatë, jo të gjithë psikopatët janë të dhunshëm dhe po ashtu jo të gjithë kriminelët janë psikopatë. Prej kohësh shkencëtarët janë përpjekur të gjejnë nëse ka diçka në trurin e këtyre personave që i dallon nga njerëzit tjerë. Së fundi, një studim i shkencëtarëve britanikë të Institutit psikiatrik të King`s College të Londrës ka sjellë më shumë dritë në këtë temë.
Sipas një studimi të realizuar nga ky institut, personat e cilësuar si psikopatë kanë më pak masë të hirtë në regjionet e trurit që, te personat normalë, komandojnë kuptimin për emocionet e njerëzve tjerë.
Ekipi hulumtues psikiatrik ka kontrolluar me magnet resonanc tomografë 44 të dënuar për krime, meshkuj të moshës madhore.
Udhëheqësi i studimit thotë se, bazuar në diferencat që shihen në trurin e tyre, mund të dallohen kriminelët psikopatë nga të dënuarit tjerë, që nuk janë psikopatë.
Sipas tij, madje është e mundur që të bëhen dallime në mes të psikopatëve dhe kriminelëve tjerë të dhunshëm që vuajnë nga një dëmtim antisocial personaliteti. Kjo për faktin se te këta persona ndikon terapia e sjelljes, e cila nuk bën punë te psikopatët.
Në rast se do të jetë e mundur që psikopatët të identifikohen pa dilema nga personat tjerë, kjo do të kishte ndikim të madh në shqiptimin e dënimeve.
Edhe sot, kryesit e veprave penale të cilët konsiderohen si psikopatë, nuk kanë pothuaj fare shanse për lirim të parakohshëm nga burgu.
Problematike sipas studimit janë edhe shumë psikopatë që lëvizin midis nesh, që jetojnë me ne, punojnë me ne, janë në mesin tonë.
Sipas Gerd Bauman (2009) “Enigma kulturore”, TRI, Shkup, tipat e tillë karakterizohen me devijime sociale, që në sociologji ka edhe sinonime tjera – aberracione, sociopatologji apo sjellje antisociale.
Si tipare më karakteristike që e reflektojnë personalitetin e devijantëve potencial konsiderohen anksioziteti, fobitë, jovetëbesimi, komplekset, frustracionet, neurozat, për të rrëshqitur drejt psikozës dhe psikopatisë. Nisur nga kjo, disa psikoanalistë kanë krijuar edhe një koncept të ri të quajtur sociopati, që nënkupton dukurinë e çrregullimit psikosocial për integrim në shoqëri. Ndërsa tipi sociopat quhet njeriu i cili vazhdimisht bie në konflikt me rrethin shoqëror. /2LONLINE/