(2L ONLINE) – Poezia e këtij vëllimi vjen si kërkim i shprehjes së lirë nëpër trazimet shpirtërore të Qëndresa Shalës dhe ajo ka shtrirje nëpër të gjitha arteriet e përjetimit poetik. Në brendi të vargjeve vërejmë shpresën dhe dashurinë për ëndrrën si realitet i mundshëm, sepse autorja është në kërkim të tematikës së lirë, për të saktësuar idenë si në formë, po ashtu edhe në përmbajtje, duke i dhënë frymëmarrjen tërësisë së saj me pasqyrimin sa më funksional.
Shkruan: Nexhat Rexha
/Rreth librit poetik PRITJA JOTE JAM, të autores Qëndresë Shala, edituar nga Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, 2014/
– Dashuria si nocion fuqizohet me ngjyrimin e ambientit universal,sepse ajo depërton në të gjitha vendkalimet, ku stacionet e pritjeve të dashurisë nuk kanë një vendnumërim, ato ecin e nuk ndalen. Në këtë udhëtim sa të dëshiruar, po aq edhe të akorduar, pritja karakterizon ankthin e dridhjeve në momentet e shkrirjeve nëpër të gjitha fijet e flokut të të dashuruarve. Çastet trazuese kërkojnë amshimin e rrezeve të jetës, gjithnjë në kërkim të kësaj pritjeje si lajtmotiv në mes dashurisë dhe xhelozisë. Pra, motivimi i melodisë në këtë korrelacion krijon antonimin për të besuar në ëndrrën e korrespondimit sa më të saktësuar të emocionales qetësuese.
Më të gjitha këto ngarkesa pritja ka edhe lehtësimet zhvillimore kur arrin të prek ëndrrën me sistemin e koduar të tematikës që mbijeton e mund kohët, sepse dashuria specifikon momentet dalluese të saja dhe mund të gjitha ndalesat e kontestuara, ajo mbijeton të gjitha variantet e aktualiteteve shoqërore kudo në botë.
Në këtë proces brezash, Qëndresa ka sforcuar tematikën e pritjeve, që diktojnë edhe lëndimet e ndryshme si realitet i ambientit të fjetur edhe aty ku buzëqeshja mungon. Qendresa në poezinë e saj sikur ruan në shpirt nyjen e Gordiane,mirëpo me karakterin e saj plot sharmë e jetë tejkalon këtë nyje ,duke gjetur zgjidhje në mbështetje të poezisë që shkruan për loken . Ajo gjen ndërtimin polifonik si reaksion i tejkalimit të mungesës për një fjalë, e për një shikim, e për të mundur mungesën e pa dëshiruar.
Në vëllimin e parë poetik”Pritja jote jam”,autorja ka hapur horizontin e saj në destinacion të një perandorie pa ndalesa të fjalës së lirë artistike, ato reflektojnë botën e brendshme të saj me shprehjen e figuracionin e zakonshëm,duke e stolisur vargun me muzikalitet e melodi të vizionit sa më origjinal. Në këtë ekspozitë shkëlqejnë buzëqeshjet dhe trokitjet e zhurmës nëpër ecjet e muzgut, bashkë me aromën e lotit që prek zemrat e të dashuruarve. Këto refleksione shpërndajnë pamjet e jashtme dhe të brendshme të mureve tona, ato sikur diktojnë edhe ngjyrën e jashtme dhe i japin elan paqes shpirtërore për të mundur ndalesat e këtyre pritjeve.
Shtrirja tematike e poezive ka motivin në mëngjeset e pritjeve të ngrohta në sytë e njeriut të saj,sikurse stinët që sjellin ngrohtësinë e tyre,poashtu vijnë edhe përjetimet nëpër këto hapësira të arealit me buzëqeshjen e gjallërimit për t`i dhënë jetës kuptim e shije. Nëpër këto pamje duken e kërkohen momentet e përditshmërisë,si preokupim e përjetim krijues,duke parashtruar përpjekjet për të mundur të keqen .
Në poezinë e Qëndresës përshkruhet ambienti me bukuritë e natyrës e rrugve të jetës,sepse në vargje kudo ndodhet ajo soditë çdo lëvizje të arritshme në sytë e saj. Kërkimi për ndjenjën e përsosur idealizon të rrahurat e zemrës me dlirësi, kur ajo vuan e dikton optimizmin në ngazëllim. Rezultatet e pritjeve pasqyrojnë mjaft bukur imazhet e shikimeve të gjata,me të cilat afron ngrohtësi çiltërsia e zemrës. Ky sistemim ka akordimin e dëshirës si refleksion për të mos e lënë të këputur ëndrrën korresponduese me të bukurën si përjetim dhe ballafaqim më buzët e shiun edhe kur nuk ndalon.
Të gjitha poezitë kanë një parashtrim me disa përjetime për të tejkaluar edhe momentet e dhembjeve që ka përditshmëria e njeriut të saj. Kundrimi imagjinativ sinjalizon e realizon atë që ndjen autorja ,për këtë arsye poezia e Qëndresës përfill e dëshmon idilin, jo si pikë e modernizuar, por si obsesion e kreativitet i skalitur bukur në të gjitha variantet e saj, duke i dhënë elan pushtetit shpirtëror për të shpalosur kuptimin e të djeshmes me krijimin mundësive sa më relaksuese.
Titulli i librit vjen nga poezia “Pritja jote jam”, e cila ndjen mallë për vonesën dhe kërkesën që arsyeton lodhjen e pagjumësisë. Kështu, jo vetëm në këtë poezi ,por edhe në të tjera, lodhja e shikimeve kah dritarja e pritjeve për një lule me aromën e mëngjesit, përcaktojnë këtë pritje se ajo arsyeton me dashurinë e saj. Në poezinë”Mos mendo që nuk të shoh” ajo shprehet:
Sa herë ta përsërisë
Edhe n` shkofsha nga kjo botë
Një jetë tjetër për ty nis
Fq.31.
Lirizmi poetik vjen rrjedhshëm në të, ky lirizëm nuk ka ngarkesa emocionale të pa dëshiruara, ato të bëjnë për vete me harmoninë e kërkesave për të mbijetuar e bukura që ka shije, për të kuptuar se jeta ka kërkesat e saj dhe në këto kërkesa vijnë prajshëm për të krijuar fluturimin e lirë në qiellin e këtij shpirti skofiar.
Në vëllimin poetik “Pritja jote jam” të Qëndresë Shalës mbijeton forca e ndjenjës njerëzore me vullnetin e arritjes së dashurisë në sakrificë dhe përjetim. Në vargjet e librit autorja ka arritur të mund çdo pritje, duke i dhënë energji e sharmë fjalës si nocion me të gjitha frekuencat e dridhjeve që barten nëpër gjymtyrët e njeriut. Autorja ka sistemuar tërësinë e komunikimit në relacionin që dikton lirika erotike.
Prirja poetike karakterizon botën emocionale në lidhshmëri të individualitetit krijues, e në tematikën e shtruar me tendencë të reflektimit sa më shkëlqyes të pastërtisë së natyrshme nëpër theksimet e idesë dhe elementit realizues si koncept artistik.
Poezia e Qëndresës ka shprehjen unikate me veçantinë e pritjes ëndërruese, e cila gjithsesi vjen me mëngjesin diellor. Ajo paralajmëron realizimin e kësaj ëndrre në pritjen e shpirtit të trazuar.
Në të gjitha këto lirika ajo ka arritur t`i japë elan jo vetëm vargut, duke sintetizuar atë në fokusim të zhvillimit sa më funksional të idesë dhe mesazhit për konkretizim të mosshterimit të brendshëm, sepse bota e kësaj moshe ndjen e përjeton kohën në arritje të trokitjeve të zemrës me gjallërinë e mallit që sinjalizon ardhjen.
Qëndresa Shala në poezinë e këtij vëllimi të jep pamjen e brendshme dhe të jashtme të kësaj bote. Ajo vjen natyrshëm në të gjitha krijimet poetike për të simbolizuar etikën domethënëse, pavarësisht se si vlojnë shpresat nëpër ëndërrimet njerëzore. Kjo vepër është edhe prova e parë poetike ,që sinjalizon ardhjen e saj përmes fjalës së bukur artistike, si dëshmi e arritshmërisë se në të ka kthjelltësi imagjinatave dhe estetike./2L ONLINE/