Sheshi i cili Bujanocit po i kushton mbi 65 milion dinarë, ende pa u hapë zyrtarisht ka filluar të dëmtohet. Punëtorët e kontraktuar nga ndërmarrja “Saba Bellça” nga Presheva, e cila ka nënshkruar projektin e ndërtimit të sheshit Karagjorgje Petroviq në Bujanoc me kryetarin e kësaj komune Nagip Arifin, nga dita e djeshme ka filluar punimet në ndërrimin e pllakave të betonit që janë shtruar në këtë shesh.
Qytetarët të cilët kanë parë këto punime janë habitur me brishtësinë e pllakave, të cilat ende pa kaluar tre muaj të plota nga vendosja janë dëmtuar në masë të madhe edhe ate rreth 20 për qind të sipërfaqes së shtruar.
“Leje se pllakat e thyme por edhe nuk janë rrafsh. Me zon nthu bjen hund e buzë”, shprehet me anonimitet qytetari bujanocas, i cili deklaratën e tij për Titullin e fakton duke prekur me këmbë pllakat që nuk janë të nivelizuara e shumë prej tyre të krisura.
Edhe pse qytetarët në një sondazh të realizuar më herët si prioritare kishin zgjedhur zbutjen e papunësisë, drejtuesit e kësaj komune vazhduan me prioritetet e tyre, ndërtimin e sheshit, i cili sot po del që përveç harxhimit të mjeteve të konsiderueshme nga buxheti, kualiteti dhe puna e dobët po dëshmohen me dëmtimin e pllakave ende pa përfunduar punimet.
Sheshi qendror i Bujanocit, qytetarëve të kësaj komune që janë taksapagues, do t’i kushtojë mbi 65 milion dinarë.
Sheshi edhe sot vazhdon të qëndrojë i papërfunduar edhe pse i pari i kësaj komune kishte deklaruar se punimet do të duhej të përfundonin deri në fund të vitit 2014.