(2L ONLINE) – Në Gjilan është promovuar projekti “Unë Mundem”. që si produkt ka uebfaqen www.unemundem.com e që është zhvilluar nga grupi “HORIZONT”. Ky grup përbëhet nga tetë anëtarë ku shumica nga ta janë studentë në Universitetin e Prishtinës, kryesisht nga lëmia e teknologjisë.
E, sipas tyre, ky portal është një urë lidhëse ndërmjet personave që ofrojnë shërbime siç janë personat me zanate ose profesione të ndryshme si dhe atyre që kanë nevojë për ato shërbime.
U vlerësua po ashtu se ky portal vjen si risi në tregun kosovarë, ku të gjithë ata që kanë aftësi për të kryer ndonjë punë atë mund ta bëjnë duke u regjistruar në këtë portal. Njëkohësisht ky portal u lehtëson qytetarëve mënyrën e kërkimit të shërbimeve të nevojshme për ta, ku vetëm me një kërkim të thjeshtë mund ta gjejnë personin adekuat.
Deri më tani ky portal përmban rreth 1000 persona të regjistruar në përbërje të të cilit ka edhe qytetarë nga komunitetet pakicë dhe çdo ditë vazhdon të ketë regjistrime të reja. Krijuesit e këtij Portali vlerësojnë se projekti në fjalë po ecën mirë dhe me hapa të sigurt drejt realizimit të objektivave. Përveç unicitetit këtë portal e karakterizon: thjeshtësia, besueshmëria si dhe puna serioze e me plot përkushtim e anëtarëve të stafit.
Përndryshe, në këtë promovim të këtij projekti morën pjesë edhe zyrtarë të UNICEF – it, përfaqësues të Innovation Lab Kosovo, e cila mbështeti financiarisht këtë projekt, pastaj përfaqësuesja nga zyra e kryetarit të komunës së Gjilani, Gëzime Idrizi, drejtori i Drejtorisë për Rini, Kultuë e Sport., Bujar Haziri si dhe të tjerë, Nga përfaqësuesit e Komunës u premtua mbështetje e mëtutjeshme e këtij projekti si dhe bashkëpunim të ndërsjellë. /2l Online/