Është prezantuar sot Ekipi Olimpik i Kosovës për Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj (EYOF) Baku 2019, që mbahet prej 21-27 korrik në kryeqytetin e Azerbajxhanit.
Kosova do të përfaqësohet me tetëmbëdhjetë sportistë të moshës 15-18 vjeçare, të cilët përfaqësojnë pesë sporte të ndryshme: xhudo, atletikë, not, mundje dhe tenis.
Listës i prinë medalistja e bronztë Olimpike për të rinj, Buenos Aires 2018, xhudistja, Erza Muminoviq, e cila bashkë me Fatjona Kasapin, munguan në prezantim shkaku i angazhimeve me përgatitje.
Me më së shumti sportistë, gjithsej pesë, përfaqësohet noti. Mbretëresha e sporteve, atletika, do të përfaqësohet me katër garues, sikurse tenisi, ndërsa mundja ka dy.
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, u shpreh optimist se krahas sportit të xhudos, që ka krijuar traditë të sukseseve ndërkombëtare, në EYOF Baku 2019, presim suksese edhe nga sportet tjera.