Sot është bërë prezantimi i ekipit që do ta përfaqësojë Kosovën në kualifikimet online të turneut UEFA eEURO 2021 në videolojën PES2021, njofton Federata e Futbollit të Kosovës (FFK).
Zgjedhja e dy lojtarëve që e përfaqësojnë Kosovën është bërë nëpërmjet turneut online, duke shfrytëzuar platformën e UEFA-së, e ku si lojtarë të Kombëtares së Kosovës në “eFootball” janë përzgjedhur Genc Shala dhe Qlirim Isufi.
Pikërisht fituesit e këtij turneu janë pritur sot nga presidenti Agim Ademi, e ku të pranishëm ishin edhe koordinatorët e projektit Dardan Sadiku dhe Gent Gerdovci.
Presidenti Ademi përgëzoi dy të rinjtë që do ta përfaqësojnë Kosovën në “eFootball”, derisa u premtoi përkrahje në çdo aspekt, me qëllim të përfaqësimit sa më dinjitoz të kombëtares sonë në këtë turne, ku gjithnjë e më shumë po zgjon interesimin tek të rinjtë. Gjithashtu, presidenti Ademi dy lojtarëve të ekipit të Kosovës në kualifikimet për “eEuro2021” u dhuroi nga një fanellë të kombëtares si dhe nga një top me logon e FFK-së, njofton Federata e Futbollit të Kosovës (FFK).