Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e shoqëruar nga ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla dhe nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, gjatë vizitës në Kanada, kanë takuar kryesuesin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, admiralin Rob Bauer, të cilit i ka shprehur mirënjohje për kontributin e forcave të Aleancës Veri-Atlantike dhe KFOR-it gjatë angazhimit në Kosovë prej më tepër se dy dekadash.
Në takim me admiralin Bouer, Presidentja Osmani ka shfaqur gatishmërinë e palës kosovare për thellimin e bashkëpunimit me NATO-n, duke përsëritur qëndrimin se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë është synim dhe interes strategjik.
Në këtë kontekst, ajo ka potencuar se FSK-ja ndodhet në proces të transformimit dhe arritjes së Kapaciteteve të Plota Operacionale.
“Falënderoj të gjitha ushtritë e vendeve mike, mbi të gjitha ushtrinë amerikane, e cila po kujdeset çdo ditë që FSK-ja, të transformohen në forcë ushtarake profesionale e cila do t’i bashkohet NATO-s”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Admirali Bauer ka përmendur bashkëpunimin e mirë me Kosovën, sa i përket strehimit të qytetarëve afganë në Kosovë. Presidentja Osmani ka vërë në dukje se Kosova mbetet e përkushtuar të jetë krah partnerëve të vetë strategjik në mbrojtjen e paqes globale.
Ndërkaq sa përket dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani edhe njëherë ka përsëritur qëndrimin se ky proces duhet të marrë fund më njohje të ndërsjellë.
Por, sipas Presidentes Osmani, Serbia po luan rol destabilizues në rajon e mbështetur edhe nga rritja e ndikimit negativ të Rusisë në rajon.
Për këtë shkak, Presidentja Osmani ka theksuar se bashkësia ndërkombëtare duhet t`i dënojë tendencat e tilla, sikurse edhe diskursin nxitës nga pala serbe. /2LONLINE.com/