Në margjinat e Forumit të Dohas, Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani Sadriu ka zhvilluar takim me drejtoreshën menaxhuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgieva.
Gjatë takimit u bisedua për raportet dhe bashkëpunimin e Republikës së Kosovës me FMN-në, situatën e gjithmbarshme ekonomike në Kosovë dhe rajon, si dhe efektet potenciale ekonomike të luftës në Ukrainë.
Presidentja Osmani informoi drejtoreshën menaxhuese të FMN për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, me theks të veçantë në hapat që po ndërmerr Republika e Kosovës për të ruajtur stabilitetin politik dhe ekonomik, përballë sfidave aktuale globale të krijuara nga lufta agresive e Rusisë kundër Ukrainës.
Presidentja Osmani shprehu falënderim për angazhimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar në Republikën e Kosovës dhe rikonfirmoi rëndësinë që Republika e Kosovës i kushton bashkëpunimit me FMN-në.
Drejtoresha Ekzekutive e FMN-së, znj. Georgieva, vlerësoi progresin e gjithmbarshëm në Republikën e Kosovës, duke theksuar posaçërisht stabilitetin ekonomik dhe fiskal të Republikës së Kosovës.
Zonja Georgieva ritheksoi përkushtimin për vazhdimin dhe thellimin e komunikimit dhe bashkëpunimit në mes të FMN-së dhe Republikës së Kosovës. /2LONLINE/