Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca dhe me kryeministrin Albin Kurti, për nder të 12 qershorit – Ditës së Çlirimit, kanë bërë homazhe te varri i Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, te varri i veprimtarit Adem Demaçi si dhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.
Liderët institucional, gjithashtu kanë bërë nderime edhe tek Pllaka Përkujtimore për ushtarët e NATO-s.
Presidentja Osmani ka thënë se sot shënojmë përvjetorin e një prej ditëve të rëndësishme në historinë e kombit tonë, një prej ditëve më të rëndësishme në historinë e Republikës së Kosovës.
“Sot shënojmë përvjetorin e një prej ditëve të rëndësishme në historinë e kombit tonë, një prej ditëve më të rëndësishme në historinë e Republikës së Kosovës, ditën kur shteti ynë u çlirua, pas një lufte, e cila rezultoi me gjenocid ndaj një populli të pafajshëm, popullit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani ka thënë se sot nderuam ata që i vënë themelet e forta të shtetit që e gëzojmë sot.
“Në mëngjes ne sot nderuam vizionarët e shtetit tonë, nderuam dëshmorët e shtetit tonë, nderuam ata që i vënë themelet e forta të shtetit që e gëzojmë sot, dhe tani këtu nderojmë ushtarët e NATO-s, ata që nga 10 qershori e tutje hynë në Republikën e Kosovës për t’ia dhënë vulën çlirimit të vendit tonë”, ka theksuar Presidentja.
Më tej, Presidentja Osmani ka thënë se jemi mirënjohës përherë për të gjithë ata që vendosën themelet e shtetit tonë.
“Jemi mirënjohës përherë dhe e përsërisim këtë mirënjohje në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, siç e thash për vizionarët e shtetit, për Presidentin Rugova, gjithë aktivistët që dhanë gjithçka që të vendosen këto themele, për komandantin legjendar Adem Jashari dhe gjithë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që vënë jetën e tyre në rrezik, dhanë jetën e tyre për lirinë tonë. Por, edhe mirënjohje e përjetshme për të gjithë miqtë tanë, të cilët na ndihmuan që lirinë, pavarësinë dhe demokracinë ta kemi realitet të cilin sot e gëzojnë të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka theksuar Presidentja. /2LONLINE/