Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani Sadriu, ka pritur sot në takim një delegacion nga Kuvendi Komunal i Bujanocit, i përbërë nga z. Enver Ramadani, Kryetari i Kuvendit Komunal, znj. Afërdita Mustafa, Këshilltare në Kuvend Komunal; znj. Nermine Aliji Ademi, Sekretare e Kuvendit dhe z.Fisnik Beluli, shef i Kabinetit të Kryetarit të Kuvendit.
Presidentja Osmani ka bërë të ditur angazhimin e vazhdueshëm të Presidencës dhe të gjitha institucioneve tjera të Republikës së Kosovës në adresimin e problemeve me të cilat përballen shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Ajo ka theksuar se në të gjitha takimet me përfaqësues ndërkombëtar në vazhdimësi ka ngritur këto probleme, duke synuar ndërkombëtarizimin e problemeve të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
Në këtë takim, Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve shqiptarë në Luginë, duke siguruar trajtim të menjëhershëm të të gjitha shqetësimeve të shqiptarëve në Luginë nga ana e institucioneve të Kosovës.
Presidentja Osmani ka bërë thirrje për bashkëpunim e unifikim të faktorit politik shqiptar në Luginë, duke e konsideruar si mënyrën e vetme e cila siguron trajtimin e duhur të problemeve të shqiptarëve në Luginë. Ajo po ashtu ka rikonfirmuar qëndrimin e saj dhe të gjitha institucioneve të vendit për përkrahje të vazhdueshme karshi shqiptarëve në Luginë. /2LONLINE/