Me rastin e përvjetorit të miratimit të Rezolutës 1325 e OKB-së për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Ministria e Mbrojtjes, në bashkëpunim me UN-Women, mbajtën konferencën me temën “Roli i grave në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë”.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, gjatë fjalimit të saj në përvjetorin e 21-të të Rezolutës 1325 të OKB-së, u shpreh se është e bindur se pa pjesëmarrje të plotë e të barabartë të grave, nuk do të mund të garantohet asnjëherë paqja dhe siguria e qëndrueshme.
Më tej, Presidentja Osmani-Sadriu theksoi se promovimi i fuqisë vendimmarrëse të grave në këtë sektor strategjik nënkupton edhe nivelin me të cilin mund të matet niveli i demokracisë në vend tonë.
Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj u shpreh se progresi i përgjithshëm shtetëror, qytetar dhe shoqëror, bazohet në fuqizimin dhe kultivimin e vlerave tona unike të diversitetit gjinor, etnik, fetar e kulturor. Ai theksoi se roli i grave dhe kontributi i tyre, nga pozitat e tyre vendimmarrëse, ka qenë i pazëvendësueshëm në avancimin e proceseve tek synimet strategjike për paqen dhe sigurinë globale.
Në këtë ngjarje, përveç përfaqësueseve nga institucionet publike, shoqërisë civile dhe mediave, gjithashtu morën pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla si dhe Koordinatorja për zhvillim nga Kombet e Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson, ku trajtuan progresin e arritur dhe sfidat, sa i përket përfaqësimit të barabartë gjinor në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë. /2LONLINE.com/