Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim Mbretin e Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Abdullah II Ibn Al Hussein, i cili po qëndron për vizitë zyrtare shtetërore në vendin tonë, me ftesën e Presidentes Jahjaga.
Pas ceremonisë shtetërore të pritjes, e cila u organizua në sheshin “Ibrahim Rugova”, Presidentja Jahjaga dhe Mbreti Abdullah II zhvilluan takimin në kabinetin e Presidentes.
Gjithashtu, Presidentja Jahjaga e dekoroi Mbretin Abdullah II me Urdhrin e Pavarësisë, i cili jepet për përkrahje të jashtëzakonshme për pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj ndërkombëtare.
Pas takimit, Presidentja Jahjaga dhe Mbreti Abdullah II dhanë nga një deklaratë për media, të cilat po i sjellim në vijim:
Presidentja Jahjaga: Kam kënaqësi të posaçme t’ju dëshiroj mirëseardhje në Republikën e Kosovës. Është nder t’iu kemi këtu sot dhe të kem mundësinë që personalisht dhe në Kosovës t’iu falënderoj për përkrahjen dhe partneritetin që i keni ofruar Kosovës në konsolidimin e shtetësisë, në krijimin e miqësive të reja dhe identifikimin e fushave të përbashkëta për të thelluar bashkëpunimin bilateral.
Lartmadhëria Juaj, rruga e Kosovës drejt paqes dhe pavarësisë ka qenë e gjatë. Ne kishim një të kaluar të vështirë, por po ashtu kemi një rrëfim të bukur dhe frymëzues se si jemi bërë bashkë për të ndërtuar shtetin tonë, për të shkruar vet rrëfimin tonë.
Kur u takuam për herë të parë para disa vitesh, ndatë me mua kujtimet e juaja për Kosovën, atëherë një tokë e shkatërruar nga lufta. Shteti juaj ka dedikuar trupa për të çimentuar paqen në Kosovë. Keni besuar në rimëkëmbjen tonë dhe vizionin tonë për të krijuar një shtet të pavarur, duke u bërë ndër shtetet e para që njohën shtetësinë e Kosovës. Do t’u jemi gjithmonë mirënjohës.
Sot qëndrojmë krenarë si shtet i ri, një shoqëri që po rindërtohet, e përkushtuar të avancojë vlerat tona të lirisë dhe demokracisë, paqes dhe tolerancës. Këto janë vlerat që duam t’i promovojmë dhe e shohim Jordaninë si aleatin tonë.
Si Presidente e Kosovës unë jam e mllefosur nga sulmet brutale terroriste në Paris dhe e pikëlluar nga humbja e aq shumë jetëve të pafajshme. Të gjithë jemi prekur, sepse ky nuk ishte sulm ndaj Parisit. Ky ishte sulm ndaj secilit shtet paqedashës në botë. Ishte sulm ndaj vlerave dhe lirive që janë fondamentale për njerëzimin dhe fondamentale për shoqërinë që e përfaqësoj.
Mposhtja e këtyre rrjeteve terroriste është sfidë që duhet ta konfrontojmë secili prej nesh. Është e rëndësishme që kësaj çështje t’ia përkushtojmë vëmendje dhe resurset e nevojshme për ta shkatërruar. Për ta mposhtur përfundimisht.
Kosova do të vazhdojë ta dëshmojë këtë përcaktim këtu. Nuk do të jemi strehimore e as rrugë tranzitore për këto elemente dhe do të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë dhe organizatat ndërkombëtare të sigurisë për ta adresuar këtë çështje.
Lartmadhëria Juaj,
Siç e ceka në takimin tonë të përbashkët, Kosova është në anën e drejtë të historisë.
Ne do t’i ruajmë këto vlera dhe, kur liritë e fituara me shumë mund kanosen nga forcat e errëta, ne do të qëndrojmë bashkërisht për t’i mbrojtur ato.
Edhe një herë, Lartmadhëria juaj, miku im i nderuar, mirë se erdhët në Republikën e Kosovës!
Mbreti Abdullah II: Zonja Presidente. Ju faleminderit shumë për fjalët e juaja të ngrohta, është kënaqësi për mua dhe delegacionin tim të jem përsëri në Kosovë dhe të shohim ndryshimet që ky vend ka bërë. Jam krenar të jem dëshmitar i të arriturave të cilat ju dhe populli i juaj i keni arritur në një periudhë shumë të shkurtër kohore. Është po ashtu kënaqësi për mua të jem në këtë vend i cili luan një rol aq të rëndësishëm për stabilitetin në rajon. Shumë prej nesh, në mbarë botën, do të vazhdojmë ta përkrahim Kosovën dhe të drejtën për të ardhmen e popullit të saj dhe rolin e rëndësishëm të cilin vazhdon ta luajë.
Mund të llogarisni gjithmonë në mbështetjen time dhe në mbështetjen e vendit tim.
Është po ashtu e rëndësishme se ky është një vend në Evropë me një shumicë myslimane, në një periudhë kur Evropa dhe islami po sulmohen nga terroristët. Kosova reflekton vlerat më të mira të tolerancës dhe koekzistencës dhe këto janë vlera mbi të cilat duhet të ndërtojmë dhe t’i promovojmë për të konfrontuar barbarizmin e ndërmarrë ne Paris javën e kaluar.
Sulmet e tmerrshme të Parisit tregojnë se ligësia e terrorizmit mund të sulmojë kudo dhe kurdo. Grupet si IS e ekspozojnë veten në baza ditore si egërsira të jashtëligjshme të religjionit, të zhveshur nga humanizmi dhe nuk respektojnë asnjë ligj dhe asnjë kufi.
Siç i thashë ekselencës së saj, ne jemi pak para luftës së tretë botërore kundër njerëzimit. Kjo na bashkon të gjithëve, kjo është luftë siç e kam thënë shpesh, brenda islamit dhe, fatkeqësisht, mbi 100 mijë myslimanë janë vrarë vetëm në dy vitet e fundit nga IS dhe kjo nuk përfshin mizoritë e kryera nga grupet e ngjashme në Afrikë dhe në Azi.
Për këtë arsye duhet të reagojmë shumë shpejt dhe në mënyrë të gjithmbarshme që të ballafaqohemi dhe t’u përgjigjemi kërcënimeve të ndërlidhura, në regjion, në Afrikë, në Azi apo në Evropë. Ne e shohim vendin tuaj si një partner kyç, për një përgjigje të përbashkët ndaj kërcënimeve ekstremiste të cilat e sfidojnë mbarë globin dhe jemi krenarë për marrëdhëniet tona siç e kemi theksuar dhe besoj se kjo është një marrëdhënie e cila do të vazhdojë të forcohet gjatë viteve të ardhshme. Do ta diskutojmë në takimet tona sot se si do t’i sjellim popujt tanë më afër dhe si t’i forcojmë lidhjet në mes të dy kombeve tona të rëndësishme. Kemi aq shumë gjëra të përbashkëta në mes të dy popujve tanë dhe shoh një të ardhme të ndritshme të dy popujve tanë. Kam kënaqësinë të jem sot përsëri këtu dhe të gëzoj mikpritjen e treguar nga ju Zonja Presidente, nga kabineti i juaj dhe populli i juaj, Zonja Presidente.