Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nëpërmjet një komunikate e dënoi ashpër sulmin nga prita, në Zubin Potok, ndaj policëve në detyrë të policisë së Kosovës dhe e cilëson këtë akt si një përpjekje për të penguar funksionimin e rendit demokratik dhe të sundimit të ligjit në Kosovë.
Presidentja Jahjaga thekson se sulmi mbi Policinë e Kosovës, nga persona ende të panjohur, është përpjekje për të pamundësuar zbatimin e ligjit dhe për të mbajtur në tension qytetarët e vendit.
Institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të lejojnë pengimin e vendosjes së rendit në tërë territorin e vendit dhe nuk do të pranojnë rrezikimin e funksionimit demokratik të shoqërisë sonë.
Policia e Kosovës është institucioni që ka ndërtuar besimin në mesin e të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim dhe ajo garanton sigurinë për të gjithë.
Presidentja Jahjaga bën thirrje që autorët e sulmit mbi policinë të kapen dhe të sillen përpara drejtësisë.