Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim një grup të grave deputete, të kryesuara nga deputetja znj. Alma Lama, të cilat i dorëzuan amendamentin e propozuar kushtetues për përfshirjen e gruas në kuotë prej 40 për qind në postet e ministrave dhe zëvendësministrave të Qeverisë së Republikës së Kosovës.E hënë, 02 shkurt 2015
Presidentja Jahjaga vlerësoi iniciativën e ndërmarrë, e cila mbështetet në Rezolutën Nr. 04-R-09, Parimet e Prishtinës nga Samiti Ndërkombëtar i Gruas “Partneriteti për Ndryshim – Fuqizimi i Gruas”, i mbajtur më 4-6 tetor 2012, në Prishtinë, me të cilin parashihet pjesëmarrja e gruas në shërbimin civil deri në pesëdhjetë për qind, deri në vitin 2050. Ajo tha se përfaqësimi i sotëm i gruas në ekzekutiv është i ulët dhe e vlerësoi të nevojshëm garantimin e pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje.
Presidentja Jahjaga shprehu mbështetjen për nismat që kanë për qëllim garantimin e barazisë gjinore dhe pjesëmarrjen e gruas në çdo fushë të jetës.
Deputetja znj. Alma Lama e njoftoi Presidenten Jahjaga se këtë iniciativë e kanë mbështetur 57 deputetë të Kuvendit të Kosovës nga të gjitha komunitetet.