Me ftesë të organizatorëve të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Kontinentit të Amerikës (IEFA), konferenca e Montrealit, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar për në Kanadë.
Së bashku me ish-kryeministrin e Kanadasë gjatë viteve 1993-2003, Jean Chrétien, presidenti Thaçi do të jetë panelist në konferencën me temë “Evropa në Udhëkryq”.
Në këtë panel do të diskutohet për të ardhmen e Bashkimit Evropian, pas Brexitit dhe rritjes së euroskepticizmit.
Presidenti Thaçi do të flasë edhe për perspektivën evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Në kuadër të forumit, presidenti Thaçi pritet të zhvillojë takime të shumta me përfaqësues të shteteve të ndryshme të botës, për të shtyrë përpara agjendën e bashkëpunimit bilateral.
IEFA organizon samitet vjetore, ku mblidhen krerë të shteteve, guvernatorë të bankave qendrore, ministra dhe vendimmarrës globalë ekonomikë.
Pjesëmarrës në këtë forum janë personalitete kryesore nga bota e biznesit, krerë shtetesh, si dhe përfaqësues të shumtë të qeverive, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile.