Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar edhe komunitetin kosovar në Halifax të Kanadasë.
Në një pritje të organizuar nga komuniteti jonë atje, presidenti Thaçi ka thënë se ndjehet mirë kur sheh sesi komuniteti kosovar në Kanada është mirëpritur dhe është ndihmuar të integrohet në shoqërinë kanadeze.

“Tash jeni të përfaqësuar në të gjithë sektorët e jetës”, u shpreh presidenti Thaçi dhe shtoi se “tash keni dy shtëpi, Kosovën dhe Kanadanë”.

Presidenti ka thënë se nuk duhet asnjëherë ta harrojmë të kaluarën, mirëpo të gjithë bashkë duhet të shikojmë nga e ardhmja më e mirë për popullin tonë.

“Ka qenë periudhë e vështirë për të gjithë ne ajo kohë, por me ndihmën e miqve tanë ndërkombëtarë kemi arritur ta tejkalojmë dhe po punojmë shumë që ta forcojmë edhe paqen në rajonin tonë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ndërsa, përfaqësuesit e komunitetit kosovar në Kanada e falënderuan presidentin Thaçi për vizitën dhe mirënjohjen që i ka sjellë Halifax-it në emër të Republikës së Kosovës.

Edhe ata janë shprehur të lumtur me rimëkëmbjen e shpejtë që ka bërë shteti i Kosovës.

Shumica e kosovarëve që jetojnë në Halifax kanë arritur në vitin 1999, si refugjatë të ikur nga fushata represive dhe përpjekja për gjenocid e ushtrisë dhe forcave serbe.
http://www.president-ksgov.net/sq/lajme/presidenti-kosovaret-ne-halifax-tash-kane-dy-shtepi-kosoven-dhe-kanadane