Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur Ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, Margot Wallström. Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyera me Suedinë.
“Suedia ka përkrahur Kosovën vazhdimisht dhe për këtë jemi mirënjohës përgjithmonë”, u shpreh presidenti Thaçi.
Me kryediplomaten e Suedisë, presidenti Thaçi ka folur edhe për zhvillimet në rajon, për dialogun me Serbinë dhe për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
“Kemi marrëdhënie të mira me shtetet fqinje, ndërsa me Serbinë jemi të angazhuar në procesin e dialogut”, u shpreh presidenti Thaçi dhe shtoi se “është koha për një kualitet tjetër të dialogut dhe ai duhet të kthehet në proces për pajtim, miqësi dhe bashkëpunim të mirë ndërfqinjësor në mes të Kosovës dhe Serbisë”.
“BE duhet të mbajë rol qendror në procesin e dialogut”, theksoi presidenti Thaçi.
Ndërsa, nga Bashkimi Evropian, presidenti Thaçi ka thënë se po kërkojmë dialog të sinqertë dhe strategjik, që sjell integrimin e rajonit në BE.
“E kuptojmë që BE është e lodhur me zgjerimin. Por, aspirata e vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u bërë pjesë e BE-së nuk bën të pësojë për shkak të kësaj lodhjeje. Vonesa e BE-së për të afruar rajonin e Ballkanit Perëndimor është kërcënim për sigurinë. Vakumin që lë BE-ja po nxitojnë ta zënë ideologji tjera, nacionaliste dhe religjioze”, ka thënë presidenti Thaçi.
Nga ministrja Wallström, presidenti Thaçi ka kërkuar përkrahje edhe për bindjen e pesë shteteve të mbetura të BE-së për njohjen e Kosovës.