Presidenti i Republikës së Kosovës njëherësh komandant suprem i ushtrisë së Kosovës, Hashim Thaçi, vizitoi sot kazermën „Adem Jashari“ të FSK-së në Prishtinë, ku u prit nga komandanti i saj, gjenerallejtënant Rrahman Rama, si dhe nga ushtarë, oficerë dhe gjeneralë.
Me këtë rast, komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së Kosovës, Hashim Thaçi dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, gjatë drekës, për një moment u kanë shërbyer ushtarëve dhe oficerëve të FSK-së, me ushqime, dhe më pastaj drekuan së bashku me ushtarët dhe oficerët e FSK-së.
Pas drekës, presidenti i Kosovës, Thaçi, para përfaqësuesve të mediave, u shpreh i kënaqur për hapin e madh që është bërë me krijimin e ushtrisë së Kosovës, ku theksoi se, pas kthimit nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, ku edhe një herë u verifikua botërisht themelimi i ushtrisë së Kosovës. Sot jam këtu për t’i shërbyer ushtarëve të Kosovës, në një drekë të përbashkët, me këtë rast i urojë të gjithë pjesëtarëve festat e krishtlindjeve dhe festat e fund vitit, duke ju uruar shëndet atyre dhe familjeve të tyre.
„Unë si president i Republikës së Kosovës, kam vendosur që t’i propozojë Qeverisë së Republikës së Kosovës ngritjen e pagave për FSK-në, që oficerët dhe nënoficerët të kenë një jetë të dinjitetëshme në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe shpresoj se Qeveria do t`i përgjigjet pozitivisht kërkesës sime për rritjen e pagave“, tha në fund, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.