Zëdhënësi i Presidentes Jahjaga, Arbër Vllahiu ka deklaruar se zgjedhjet e përgjithshme parlamentare do të mbahen të dielen, ashtu siç është përcaktuar më herët.
Ai ka thënë se Presidentja po i vazhdon takimet e përcaktuara më herët për të parë përgatitjet për zgjedhjet nacionale.
“Presidentja po i vazhdon takimet e saj të përcaktuara që më herët me anëtarët e KQZ’së dhe me vëzhguesit e Demokracisë në Veprim për të parë të gjitha përgatitjet përfundimtare për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, të përgjithshme në vend më 8 qershor”, ka thënë Vllahiu trnasmeotn RTK.
Në takim, që sipas agjendës është përcaktuar ditë më parë, Presidentja Jahjaga dhe anëtarët e KQZ-së biseduan për aspektet teknike të organizimit të zgjedhjeve të përgjithshme në vend, për kushtet dhe rrethanat në të cilat ato mbahen si dhe për aktivitetet e KQZ-së në periudhën përpara, gjatë dhe pas mbajtjes së zgjedhjeve. Presidentja Jahjaga dhe anëtarët e KQZ-së theksuan se zgjedhjet duhet të jenë të lira, demokratike, të ndershme dhe gjithëpërfshirëse.
Presidentja Jahjaga theksoi se zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme në vend, mbahen në kohën kur tragjedia në Korporatën Energjetike të Kosovës në Obiliq ka goditur gjithë qytetarët e vendit. Ajo tha se dhembja është e madhe dhe theksoi se tani vendit i duhet një solidarizim me familjet e atyre që u prekën në këtë tragjedi.
Presidentja Jahjaga theksoi se Kosovës tani i duhet fuqi për të tejkaluar pasojat e tragjedisë, ashtu siç kanë ditur qytetarët e Kosovës të bëjnë në momentet më të vështira në historinë e vendit.