Kryesia e Partisë Demokratike Shqiptare në Preshevë ka reaguar me rastin e arrestimit të ish kryeministrit të Kosovës, kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj.
“PDSH konsideron se lëshimet e fletë arresteve ndërkombëtare ndaj luftëtarëve të lirisë si në Kosovë ashtu edhe në Luginë të Preshevës janë të planifikuara dhe me motive politike nga ana e institucioneve të Serbisë, që kanë për qëllim destabilizimin e situatës politike dhe të sigurisë në Republikën e Kosovës, si dhe dëbimin e shqiptarëve-luftëtarëve të lirisë nga Lugina e Preshevës”, thuhet në reagimin e kësaj partie.
Ky është reagimi i plotë:
Partia Demokratike Shqiptare shprehë indinjatë të thellë dhe reagon ashpër ndaj arrestimit të kryer ndaj ish kryeministrit të Republikës së Kosovës, kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës z. Ramush Haradinaj, më datë 04.Janar 2017, nga autoritetet franceze me fletë arrest ndërkombëtarë të lëshuar nga Republika e Serbisë.
PDSH konsideron se lëshimet e fletë arresteve ndërkombëtare ndaj luftëtarëve të lirisë si në Kosovë ashtu edhe në Luginë të Preshevës janë të planifikuara dhe me motive politike nga ana e institucioneve të Serbisë, që kanë për qëllim destabilizimin e situatës politike dhe të sigurisë në Republikën e Kosovës, si dhe dëbimin e shqiptarëve-luftëtarëve të lirisë nga Lugina e Preshevës.
Institucionet serbe akoma nuk kanë proceduar dhe ndriçuar rastet e vrasjeve dhe kidnapimeve të qytetarëve shqiptarë në Luginë të Preshevës, të ndodhura që nga viti 1999 e këtej, në anën tjetër të njejtat institucione merren me fletë arreste ndërkombëtare ndaj shqiptarëve, duke dëshmuar se nuk kanë gatishmërinë e normalizimit të raporteve ndëretnike shqiptaro-serbe në rajon.
Partia Demokratike Shqiptare apelon te faktori ndërkombëtarë, Ambasada e Francës dhe e BE-së, të akredituara në Beograd, që të reagojnë dhe monitorojnë situatën e krijuar pas këtij arrestimi, të ndikojnë në lirimin e pakusht të z. Ramush Haradinaj, që ti bëjnë trysni qeverisë së Serbisë dhe institucioneve të saj në tërheqjen e të gjitha fletë arresteve politike përmes Interpolit ndërkombëtarë.
Njëkohësisht të kërkojnë zbardhjen e vrasjeve dhe kidnapimeve të qytetarëve shqiptar në Luginë të Preshevës, të tëra këto në shërbim të normalizimit të raporteve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve si parakusht për paqë të qëndrueshme në Ballkanin perëndimorë.
Kryetari i PDSH-së
Dr.sc. Ragmi Mustafa