Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aleksandar Vulin dhe shefi i përfaqësisë së Komisariatit të lartë të Kombeve të Bashkuara për refugjatë në Serbi, Hans Friedrich Schröder, të mërkurën kanë hapur Qendrën Kolektive për pranimin e emigrantëve në Preshevë.
Në Qendrën Kolektive e cila është vendosur në një ndërtesë krejtësisht të rikonstruktuar, dikur ndërmarrje për përpunimin e duhanit, emigrantët me procedurë të shpejtuar do të pajisen me dokumentet përkatëse, ushqimin dhe ndihmën mjekësore.
“Ne po sillemi si një shtet i organizuar. Shteti i Serbisë në këtë mënyrë sillet, kujdeset për çdo qenie njerëzore e cila gjendet në territorin e saj. Pak është me rëndësi pse gjenden, nuk jemi këtu për të gjykuar askënd, mirëpo jemi që çdo qenie njerëzore t’i sigurojmë kujdes mjekësor, ushqim dhe ujë”, ka porositur ministri Vulin.
Siç shkruan Tanjug, në Qendër, përveç pikave për pritjen dhe asistencë ndaj emigrantëve, është hapur edhe hapësira tërësisht e rinovuar me ajër të kondicionuar për pritjen e nënave me fëmijë.
Shefi i përfaqësisë së Komisariatit të lartë të Kombeve të Bashkuara për refugjatë në Serbi, Hans Friedrich Schröder është shprehur i kënaqur me hapjen e Qendrës dhe ka paralajmëruar se UNHCR edhe më tutje do ta ndihmojë Serbinë.
“Me këtë do të krijojmë kushte shumë më të mira për emigrantët të cilët me ditë në rrugë me kushte të vështira erdhën këtu. Do të kenë kushte shumë më të mira për procedimin e kërkesave të tyre, për strehim dhe afrim të ndihmës së parë”, ka thënë Schröder, transmeton Titulli.com
Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, ka vlerësuar se shteti, popullata dhe organizata të ndryshme, në mënyrë të shkëlqyeshme kanë ndihmuar emigrantët dhe se hapja e Qendrës është e rëndësishme për të gjithë emigrantët, do të jenë në një vend me kushte dinjitoze.
“Në këtë Qendër do të vijnë të gjithë dhe nuk do të qëndrojnë më rrugëve, kopshteve, trotuareve dhe restoranteve. U jemi mirënjohës të gjithëve që kanë ndihmuar që të vije deri te hapja e Qendrës Kolektive”, është shprehur Mustafa.
Sipas të dhënave të Kryqit të Kuq në Preshevë, në javën e fundit, për çdo ditë në këtë komunë kanë ardhur në nga 800 deri në 1.000 emigrantë. /Titulli.com/