Kuvendi komunal i Preshevës ka miratuar buxhetin programor prej 1.2 miliardë dinarësh për vitin 2017 dhe është më i madhi në historinë e kësaj komune.
“Buxheti i aprovuar sot, është më i larti në historinë e komunës sonë që kap shifrën e 1.2 miliardë dinarëve, dhe paraqet vlerat dhe aspiratat që ka kjo qeverisje lokale për zhvillimin e komunës sonë dhe ngritjen e kualitetit të jetës së banorëve tanë, pra është planifikuar me të gjithë qytetarët tanë dhe është bërë për qytetarët tanë”, është shprehur Shqiprim Arifi kryetar i komunës së Preshevës.
Sipas tij buxhetit programor i është dhënë theks të veçantë zhvillimit ekonomik, për të cilin është planifikuar një shumë prej 121.000.000 dinarësh, që do të investohen për projektet e Zonës Industriale, bujqësisë dhe granteve për subvencionimin e ndërmarrësis dhe në sferën e arsimit ka një rritje prej 38.000.000 dinarësh.
Ai theksoi se përmes këtij buxheti janë përfshirë të gjithë vendbanimet e komunës së Preshevës me projekte infrastrukturore, si dhe projekte tjera që synojnë të kenë ndikim pozitiv në përmirësimin e jetës së qytetarëve të komunës së Preshevës.
Për buxhetin e komunës së Preshevës për vitin 2017 votuan pro 24 këshilltarë në seancën e IX- të kuvendit komunal./Titulli.com/