(2LONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka prezantuar të mërkurën para këshilltarëve komunalë, në një seancë të veçantë të Kuvendit Komunal, informatën e tij për punën 100 ditore, duke filluar nga 24 dhjetori 2013, kur ai ka marrë detyrën. Fillimisht ai ka thënë se tranzicioni nuk ka qenë i lehtë.
Gjatë gjithë kësaj kohe kemi kaluar këtë periudhë të tranzicionit të pushtetit, duke marrë detyrat ditore, stafin, obligimet, projektet, programet dhe gjithçka tjetër dhe ky tranzicion tashmë është mbyllur në muajin e kaluar, ka thënë Haziri, duke nënvizuar se mënyra e tij e qeverisjes bazohet mbi parimin e delegimit të detyrave dhe jo e centralizimit, siç ishte në qeverisjen e kaluar.
Haziri tha se është sfida serioze në këtë periudhë kanë qenë borxhet e trashëguara si dhe mbingarkimi me staf, që janë konstatuar edhe nga auditori i pavarur. Kategorisë së parë të punëtorëve të pranuar pa konkurs, iu është ndërprerë marrëdhënia e punës më 24 dhjetor, në bazë të një vendimi që ka lënë ish-kryetari i Mustafa.
Kategorisë së dytë të të punësuarve, që kanë qenë staf i angazhuar përmes kompanive private, si shërbime të kontraktuara, marrëdhënia e punës është ndërprerë më 31 janar, duke respektuar procedurat ligjore njoftimin e kompanisë në afat ligjor.
Kategoria e tretë, ka qenë e punësuar kryesisht në QKMF, përmes një marrëveshje me Karitasin, ku Komuna ka paguar 60 për qind të shumës.
“Ne jemi detyruat që t`i ndërpresin të gjitha këto punësime të parregullta, të cilat si mbingarkesë stafi i kushtojnë 2 milionë euro Komunës së Gjilanit”, ka thënë Haziri.
Kryetari i Komunës ka folur edhe formimin e grupeve punuese për zbardhjen e borxheve, për menaxhimin e thatësisë, pasi gjendja e furnizimit me ujë, ishte alarmante, pastaj grupit për bujqësi dhe aktivitete të tjera, të cilat janë kryer gjatë kësaj periudhe në të mirë të jetës së qytetarëve.
Duke i marrë parasysh borxhin e lartë që është trashëguar nga qeverisja e kaluar, Haziri tha se ky do të jetë një vit i rëndë buxhetor, pavarësisht se të hyrat vetanake të tre mujorit janë të kënaqshme, derisa shpenzimet janë ulur në minimum. Sa u përket borxheve të qytetarëve ndaj obligimeve komunale, Haziri tha se po shikohen mënyrë për arkëtimin e këtyre mjeteve përmes formave stimuluese.
Përndryshe, kryetari i Komunës e ka vlerësuar lajm të mirë për qytetarët e Gjilanit ndarjen e 2.5 milionë eurove për investime kapitale, duke filluar nga infrastruktura rrugore, kanalizimet, ndriçimi publik dhe projektet tjera që përmirësojnë jetën e qytetarëve.
Haziri është sqaruar edhe sa i përket botimit të një informate në një portal kosovar, sipas të cilit, kinse ai po hetohet nga EULEX-i, rreth rastit të privatizimit të Fabrikës së Radiatorëve, të cilën e ngriti si pyetje edhe Riad Rashiti, këshilltar i PDK-së.
“Asnjëherë në jetën time për këto 15 vite nuk kam qenë subjekt hetimi për asgjë, pos që në ndonjë rast kam qenë i ftuar si dëshmitar”, ka thënë Haziri.
Në vijim të seancës, kryesuesja e Kuvendit Komunal, Valentina Bunjaku-Rexhepi ka ftuar nënkryetarin e Komunës, Rexhep Kadriu, për të folur për angazhimet e tij në këtë periudhë, si dhe drejtorët komunalë Nazim Gagica (DAP), Labinotë Demi-MUrtezi (DSHMS), Nazmi Musa (DKA), Salih Kqiku (DBF), Valon Shefkiu (DUMM), Selver Xhelili (DIK), Sokol Haziri (DSHP), Ramiz Ramadani (DBP), Bujar Haziri (DKRS), Sadudin Berisha (DKGJP), Halit Rexhepi (DMSH) dhe Ismajl Januzi (DZHE), të cilët kanë paraqitur sfidat dhe sukseset e këtij 100-ditëshi në sektorët që udhëheqin.
Kadriu ka thënë se problem i parë me të cilin është përballur kjo qeverisje, është mungesa e ujit, ku tani rezultatet janë të dukshme në sigurimin e burimeve alternative, po vazhdojmë me Mirushën, janë shpallur tenderët për rrugët Pogragjë – Bilinicë, Lladovë – Nasalë, për rrugët në lagjen “Dheu i Bardhë”, “Dardania”, kurse jemi në përgatitje të projektit për shumë rrugë të tjera, sikurse edhe për rrugët hyrëse Gjilan – Prishtinë dhe Gjilan – Bujanoc që do të jenë me katër krosi. “Gjilani do të jetë kantier ndërtimi”, ka thënë Kadriu.
Kurse në emër të shefave të grupeve të këshilltarëve komunalë, vërejtjet dhe vlerësimet e tyre për punën 100-ditëshe të qeverisjes së Hazirit, i kanë paraqitur Sahit Abazi (PDK), Avdyl Aliu (LDK), Selami Xhemajli (AAK) e Nevzad Isufi (VV).
Avdyl Aliu tha se punët e kryera për 100 ditë janë të dukshme, kurse të tjerat do të shihen më vonë dhe janë të shumta. Edhe Selami Xhemajli tha se kjo periudhë 100 ditëshe është menaxhuar mirë dhe përmirësimet në ofrimin e shërbimeve janë të dukshme.
Sahit Abazi tha se opozita nuk vëren diçka pozitive në këtë 100-ditësh, kurse Nevzad Isufi tha se politikat revanshiste të qeverive ndaj njëra-tjetrës nuk duhet të kenë vend në Kuvend Komunal, ndërkaq pati vlerësime pozitive për disa zhvillime në sektorin e Bujqësisë dhe Administratën, por sa i përket administratës, tha se këtu ka nevojë për një sistemim të stafit, sepse jo të gjithë janë në vendin e duhur.
Vlerësime pozitive, puna e kësaj periudhe ka marrë edhe nga Arben Maliqi, këshilltar i pavarur, Arben Mehmeti (LDK), Bajram Hasani (Nisma), i cili përshëndeti uljen e shpenzimeve, Isa Agushi (LDK), i cili tha se PDK nuk ka përfunduar asnjë projekt në 6 vite qeverisje, ndërsa u kritikua nga Bujar Nevzati (PDK), Fehmi Sylejmani (VV), i cili informatën e quajti të mangët, Riad Rashiti, i cili tha se fillimet e kësaj qeverisje nuk janë të mira dhe të tjerë.
Kuvendi Komunal është njoftuar edhe për gjendjen e sigurisë në këtë Komunës, përmes një raporti që e ka paraqitur komandanti i Stacionit Policor, kapiteni Remzi Azemi. Ai e vlerësoi të kënaqshme situatën e sigurisë, ndërsa tha se edhe krimi është në rënie të vazhdueshme. /2lonline/