Sot në Pozheran të Vitisë, konkretisht në afërsi të shkollës së mesme “Kongresi i Manastirit” është hapur një degë e Qendrës Rinore, kjo është bërë e mundur falë bashkëpunimit të Komunës së Vitisë me projektin Aftësitë për Punësim Rural me Organizatën Helvetas Swiss Intercooperation.
Naim Pira, Kryesues i Kuvendit Komunal të Vitisë, tha se në kuadër të bashkëpunimit të Komunës së Vitisë me projektin APR është arritur të mbahen trajnime të shumta profesionale për të rinjtë vitias.
Megjithatë ai tha se hapja e një dege të Qendrës Rinore në Pozheran ka qenë e domosdoshme pasi që ky vend është lokaliteti i dytë për nga numri i banorëve në Viti.
Vjollca Behluli përfaqësuese e projektit APR ndër potencoi se bashkëpunimi i këtij projekti me komunën e Vitisë ka ndikuar në rritjen e shkathtësive të rinisë vitiase dhe të krijohen ura ndërlidhëse që vitiasit të rijnë të kenë mundësi për fuqizimin e rolit të tyre në shoqëri.
Kurse Donjeta Sadiku, drejtoreshë e Qendrës Rinore për Viti tha se nga ky lokalitet kanë ardhur kërkesa të shumta, kryesisht nga të rinjtë për trajnime profesionale dhe përmes hapjes së kësaj dege ajo shtoi se ata do të jenë më afër të rinjve.
Sadiku po ashtu ka falënderuar Kryetarin Haliti për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë të rinjve të kësaj komune.
Përndryshe Qendra Rinore në Viti është hapur vitin e shkuar e cila posedon edhe zyrën e saj me të gjithë inventarin e nevojshëm.
Gjithashtu brenda shtëpisë së Kulturës “Gursel e Bajram Sylejmani” në Viti është hapur gjatë këtij viti edhe bufeja që menaxhohet nga kjo qendër.