Përderisa partitë politike vazhdojnë të shtyhen se kush ka të drejtë ta ketë edhe postin e kryetarit të Kuvendit, kjo çështjen sipas njohësve të rrethanave politike mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. Një gjë të tillë do të mund ta bëjnë partitë që nuk janë të kënaqur me procedurën se si zgjidhet kryeparlamentari. Ndërkohë, rregullorja e punës së Kuvendit thotë se kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar.
Ende pa arritur te çështja e mandatarit se kush ka të drejtë ta formojë qeverinë e re, partitë politike do të mund të përballen edhe me një sfidë tjetër.
Është pikërisht çështja e kryetarit të Kuvendit se cilës parti i takon posti i kryeparlamentarit. Përderisa PDK, si fituese e zgjedhjeve, këmbëngul se posti i kryetarit të kuvendit i takon asaj si fituese e zgjedhjeve të tetë qershorit, koalicioni pas zgjedhor i përbërë nga LDK, AAK dhe NISMA, mbështetur edhe nga “Vetëvendosje”, pretendojnë se ata kanë të drejtën e nominimit për kreun e kuvendit.
Lidhur më këtë çështje, Dren Doli nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, i ka thënë Radio Kosovës se Kushtetuta e thotë qartë se kujt i takon kryeparlamentari. “Kushtetuta e Kosovës, por edhe rregullorja e Kuvendit është shumë e qartë dhe përcakton se grupi më i madh parlamentar, brenda parlamentit ka të drejtën të nominojë dhe rrjedhimisht të zgjedhë kryeparlametarin. Në rastin konkret referenca nuk është te partia politike apo koalicioni siç ishte rasti me mandatarin, por për grupin më i madh parlamentar dhe grupi më i madh parlamentar nuk nënkupton partinë apo koalicionin. Nënkupton mbledhjen e disa deputetëve që mund të jenë të partive të ndryshme por që dëshirojnë ta formojnë një grup parlamentar”, tha ai, transmeton RTK.
Megjithatë, sipas Dolit, partitë e pakënaqura mund ta dërgojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, ashtu edhe siç mund të pritet. Por, drejtimi kah kushtetuesja mund ta shtyjë konstituimin e institucioneve.