Në shoqërinë kosovare, edhe nëse dëshiron të heshtësh për diçka, je i detyruar të flasësh kur sheh e ndesh çdo ditë anomali të pakuptueshme. Njerëzit, për inat të tjetrit, nuk e respektojnë dijen e vet, as punën e mundin dhe më keq se kaq, nuk e respektojnë as jetën e të tjerëve.
Shkruan: Xhylije IBRAHIMI
Auto-shkollat ofrojnë çmime deri në 80 euro për aftësimin e kandidatëve për patentë-shofer.
Nëse një avokat në Kosovë merr 100 euro për një orë konsultime, atëherë pse një instruktor kënaqet me pesë euro për një orë. Ai mjeshtër në profesionin e vet, ky mjeshtër në profesionin e tij. Bile instruktori, pos dijes, duhet të ofrojë edhe mjetin e punës për shërbimin që kryen. E, pse ky e ulë vlerën e vetë kaq poshtë?
Përgjigjen e gjejmë te numri i aksidenteve në Kosovë, që për fat të keq është mjaft i lartë. A duhet të reagojnë institucionet kur ndodhin këso anomali në punë, apo duhet të kënaqen me konstatimin e gjendjes? Unë mendoj se nuk duhet të heshtin.
Auto-shkollave duhet t`iu nxirret bilanci i aksidenteve që kanë shkaktuar kandidatët e tyre. Kjo nuk është e pamundur. Evidenca ka. Dikujt ndoshta duhet t`i hiqet licenca, nëse vërtetohet se tre ose më tepër shkaktarë të aksidenteve në rrugë ndërlidhen në çfarëdo mënyre me dështimin e shoferit. Duhet ndëshkuar ata që kanë luajtur me jetën e njerëzve, auto-shkolla (instruktori) dhe ekzamineri.
T`i japësh sot dikujt të drejtën të drejtojë një mjet në rrugë, shkel e shko, përjashto rastet kur aksidentet nuk ndodhin për fajin e njeriut, dmth se i ke dhënë mundësinë t`ia rrezikojë jetën vetes, familjes dhe njerëzve tjerë të pafajshëm, të cilët për nevoja të tyre mund të gjenden në rrugë.
Ku e gjen llogarinë një auto-shkollë që regjistron kandidatë me 80 euro, apo edhe 100. Përgjigja, besoj se është e kuptueshme. Me 4 euro orën, pa llogaritur pjesën teorike, nuk do ta bëjë atë asnjëherë shofer të mirë. Nuk ka as llogari, as vullnet ta bëjë këtë.
Përgjegjësia është edhe e kandidatëve, e atyre që lakmojnë të marrin një patentë-shofer për pak para, pa e kuptuar se po marrin në dorë një armë të rrezikshme, që nesër mund t`i vrasë ata dhe të tjerët, nëse nuk tregohen të kujdesshëm. Të kujdesshëm dhe të matur mund të jenë vetëm ata që aftësohen në mënyrë korrekte, ashtu siç e ka paraparë ligji.
Pse duhet t`i hiqen pikë një shoferi që shkakton një aksident ose kundërvajtje tjetër në komunikacion dhe të mos i hiqen pikë edhe auto-shkollës, ose instruktorit, që e ka aftësuar atë kandidat? Gabimi fillon atje, jo te vendi i ngjarjes, në të shumtën e rasteve.
Vetëm kështu mund të kursejmë jetë njerëzish, të mbrojmë punën e ndershme dhe të shpëtojmë sistemin tonë nga korruptimi.
(Autorja është instruktore)