Këto fushata zgjedhore që po bëhen në Kosovë, në shumicën e rasteve lirisht mund të thuhet: “hajde rrenë hajde”, me premtime boshe sa të duash, me akuza, shpifje vend e pa vend kunder njeri tjetrit, duke mbjellur këtë edukatë edhe te rinia.
Prandaj, duke parë degradimin e shqiptarëve në shoqëri, Hasan Prishtina thoshte: “Kemi më shumë nevojë se kurrë që të rinjtë të kuptojnë rrugën që duhet të ndjekin, sepse njeriu pa kombin nuk është asgjë, e kombi pa brezat e ardhshëm (brezat e rinj) shuhet”.
Shkruan: Sami ARIFI
Për ata që nuk dijnë të gënjejnë, e kanë këtë mundësi që gjatë fushatave zgjedhore që kultivohet rrena me të madhe, ta mësojnë atë përmes tubimeve zgjedhore, ose gjatë përcjelljes së këtyre tubimeve në ekranet televizive.
Këto gënjeshtra i vërteton vazhdimisht mosdalja e qytetarëve në votime, ku më se 60% deri në 65% i bojkotojnë zgjedhjet, por që si brengos fare njerëzit e uritur, të ngopur për pushtet, duke mos menduar për shtet.
Është instaluar një demokraci centraliste partiake në Kosovë që në shumicën e komunave ata që dalin në zgjedhje, dalin për të zgjedhur ndonjë më pak të keq, nga se s’ke të mirë të nominur për kryetar komune, krejt kjo nga ngulfatjet centraliste partiake që u cek më lartë, që s’lejojnë të nominohen njerëzit që punojnë për shtet, për shkak të interesave të tyre personale.
Është kultivuar një kulturë e mbrapshtë e papërgjegjësisë nga pushtetarët, thuaj çka të duash, akuzo vend e pavend është njëjtë, s’kërkon kush përgjegjësi, nga se s’vepron ligji, prandaj edhe njerëzit bëhen vet ligji, dhe ata vendosin zgjidhjen e problemeve, jo përmes ligjit, por vet marrin ligjin në duart e veta.
Këto që po i themi, i keni vërejtur në Parlamentin e Kosovës në debate televizive gjatë akuzave vend e pavend njëri ndaj tjetrit, e që çojnë deri te kacafytja fizike, që për të gjitha këto janë përgjegjës pushtetarët dhe vetëm pushtetarët, e jo qytetari, se s’ju dha mundësia atij të votoj më të mirin, pushtetarin ta zëvendësoi me udhëheqësin e përfaqësimit të interesave të popullit, po, iu dha mundësia ta zgjedh në mesin e të këqijve më pak të keqin.
Këto parti, me shumicë në Kosovë, kanë ngulfatur pjesën me të mirë të popullit, rininë, për interesat e tyre mos të veprojnë, qoftë edhe për cenimin e sovranitetit kombëtar që është parakusht për zhvillimin ekonomiko-shoqëror, duke anashkaluar edhe interesat e shtetit.
Ju rini keni parasysh baballarët e juaj si vepruan unik në kohë të pushtimit serbo-sllav, kur ata ishin studentë, punëtorë, minatorë apo bujq, përmes protestave, demonstratave krijuan institucionet paralele kundër Serbisë, bënë shpalljen e amandamenteve kushtetuese të Republikës së Kosovës, bënë organizimin e formimit të Ushtrisë Çlirimtare, arriten përmes diplomacisë politike, së bashku me ndërkombëtarët, deri te çlirimi i Kosovës. E tash çka?! Lypset zhvillimi ekonomik, pra, heqja e vështirësive të jetës së qytetarit, qytetari të ketë mundësitë krijuese për një jetë më të lirë në gjitha fushat e jetës, përmes zbatueshmrisë së ligjit.
Po si duket, është kthyer ajo kohë për të cilën Ali Asllani thoshte:
“dylli bëhet si të duash, kukuvajk dhe dallandyshe… kukuvajka gjithë me lajka, neser silleni bujar, nën dorë e nën maska, shkoni jepni një kopar! Dhe kujtoni tash e tutje me të gjitha dallavere, kukuvajka po përtypni zog e zoga si përhera… Ja, ja grushti do të bjeri për mbi krye të zuzarëve, koha është e maskarejve, po Atheu i shqiptarëve”!
Ku është shpresa për rikthimin e pushtetit në shtet?!…pra për të zëvendësuar njerëzit dallavergji me ata korrekt, gënjeshtarët me ata të vertetë, të korruptuarit me drejtësinë, rininë e indoktrinuar dhe të helmuar nga partitë e korruptuara për interesa të individëve të caktuar, në rini që vepron në ruajtjen e interesave shtetërore, e të tjera e të tjera.
Pra, shpresa e patriotit të madh, Hasan Prishtinës, për shpëtimin e atdheut ishte te rinia. Ai në mes të tjerash porosiste për rininë:
“Uroj që të jesh me shpirt të pastër, i pa përlyer, me ideale të reja. Ti mos na e vër veshin, shko përpara me guxim, me kurajë civile, po kurdoherë me patriotizëm”.
Të jap vetëm këtë porosi, që mbase është fjala e fundit që dëgjon prej gojës sime:
“Në çdo veprim, në çdo hap që të hedhësh në jetë, kurdoherë të të frymëzojë ideali patriotik, kurdoherë mos harro se Shqipëria te ju të rinjtë i ka varur të gjitha shpresat e saj”…