Sikur të mos ishte deputeti i sotëm në Parlamentin e Kantonit të Tesinës nga CVP (Partia Demokristiane) Alex Pedrazzini, Zvicra dhe shqiptarët do të kishin mangut një yll të futbollit. Valon Behrami dhe familja e tij i detyrohen këtij politikani zviceran për qëndrimin e tyre në Zvicër dhe zhvillimin e Valonit në një legjendë futbolli çfarë është ai sot.
Ka qenë viti 1998 kur familjes Behrami, e cila jetonte në Zvicër me status azilkërkuesish i kishte ardhur një vendim negativ për të lëshuar Zvicrën. Babai i Valonit, Ragipi, të vetmen mundësi për të kërkuar ndihmë e kishte pasur Pedrazzinin. Djali i tij luante në të njëjtin ekip futbolli me Valonin kështu që edhe familjet kishin lidhur miqësi mes vete.
“Dëgjo Alex, më duhet ndihma jote!”. Këto kishin qenë fjalët që Ragip Behrami ia kishte drejtuar politikanit. 16 vjet më vonë Pedrazzini e pranon se ka qenë ndërhyrja e tij ajo që ka caktuar rrjedhat e mëtejme të jete¨s së familjes Behrami, shkruan blick.ch transmeton albinfo.ch.
“Mirëpo, unë nuk e kam bërë këtë për futbollin por për humanitetin”, thotë ai në retrospektivë. Pedrazzini sqaron se pasi i ka shikuar dokumentet, ka parë se ka mjaft argumente për të hedhur poshtë vendimin për dëbim të familjes Behrami. ishte koha e luftës, viti 1998 ndërsa familja e Valonit ishte e integruar shumë mirë në Zvicër, thotë ai.