Shkruan: Arsim Kastrati
Ç’të pritet nga kjo kastë politikanësh profesionistë të Kosovës të cilët, s’patën kapacitet as një këshillim joformal, as një seancë parlamentare ta mbajnë madje, shumica e tyre s’patën guxim as një mendim ta japin për çështjet e Asociacionit dhe anëtarësimit në Këshill të Europës?!
Nuk duanë të rrezikojnë. Çka? Votat e tyre apo interesat e vendit? Sa më shumë që vonohet Kosova, problemet mund t’i rriten e dera e Europës shkon duke iu mbyllur më shumë.
Apo mos është se refuzojnë të merren me çështjet e rënda politike duke e parapëlqyer “statuskuon” dhe duke shpresuar që e nesërmja t’ua lehtësojë barrën?
Strategji makushësh me elemente të ruletit rus!
Atyre që s’bëjnë asgjë dhe vetëm presin nga e ardhmja e panjohur ajo, mundet ua lehtëson e mundet ua bënë edhe më të vështira sfidat që u kanë dalë përpara. Në fund të fundit është populli ai që e paguan faturën e madhe.
Ç’të pritet nga këta politikanë, indiferent ndaj një gjyqi moralopolitik që po i bëhet vendit të tyre?!
Gjyqi i Hagës nuk po i dëmton disa individ, ish luftëtar, ish politikan dhe burrështetas kosovar. Ky gjyq po e gjykon dhe po e dëmton, në radhë të parë shtetin në krijim të Kosovës ndërsa, këto yjet e politikës vendore rrinë e bëjnë sehir dhe nganjëherë edhe thonë: “vet ia kanë bërë vetes”, me demek s’kemi ç’bëjmë, ia pafshin hajrin!
Me këso politikanësh vendor, me “statuskuon” e dialogut me armikun, me rezultatet e panjohura të zgjedhjeve amerikane dhe europiane, me derën e pahapur të BE-së … me të vërtetë, ia pafshim hajrin të nesërmes së panjohur! /2LONLINE/