Policia e Kosovës është sqaruar për sa i përket informatës se janë vjedhur radarët në Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës “Adem Jashari”.
Sipas njoftimit sqarues dërgesa që ka përmbajtur radar, kanë ardhur nga një shtet evropian, për një kompani private në Kosovë. Sipas policisë kjo dërgesë e adresuar në Kosovë, ka rezultuar të jetë dërguar gabim.
Ashtu siç është raportuar sot përmes raportit 24 orësh, Policia e Kosovës, më 29.01.2021, nga njësitet e doganës është lajmëruar për një rast i cilësuar ‘vjedhje e rëndë’.
Me qëllim të njoftimit në mënyrë të drejtë të opinionit japim sqarimet shtesë lidhur me rastin: Më 30.12.2020, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, nga një shtet evropian, ka ardhur një dërgesë për një kompani private.
Kjo dërgesë e adresuar në Kosovë, ka rezultuar të jetë dërguar gabim, andaj bazuar në procedurat e parapara e njëjta ka mbetur e deponuar në CARGO.
Ndërsa tani, më 29.01.2021, policia është ftuar nga njësitet e doganës, për të hetuar rrethanat e mos pranisë së dërgesës, e cila përmbante pajisje mekanike të radarëve civil, të cilat kanë qenë të paketuara e të cilat nuk gjendeshin në depo.
Policia në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe në koordinim me prokurorin, kanë iniciuar rastin ‘vjedhje e rëndë’ të cilin janë duke e trajtuar dhe hetuar sipas kompetencave ligjore.
Policia e Kosovës të gjitha veprimet hetimore do t’i ndërmerr në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, me qëllim të zbardhjes së rastit.