Policia e Kosovës (PK), referuar interesimit të mediave dhe në vazhdën e njoftimit të opinionit publik, lidhur me paraqitjen e dorëheqjeve të punonjësve policorë të komunitetit serb, ju informon se:
Pas pranimit të pakove të dorëheqjeve nga punonjësit policorë, Policia e Kosovës sipas legjislacionit në fuqi, përfshirë Ligjin për Policinë Nr. 04/L-076, Ligjin Nr. 03/L-212 i Punës, Udhëzimin Administrativ Nr.01/2021 për Marrëdhënien e Punës në Policinë e Kosovës, Udhëzimin Administrativ Nr.04/2019 për Shkeljet, Masat dhe Procedurat Disiplinore në Policinë e Kosovës si dhe procedurave standarde të operimit, ka vazhduar trajtimin dhe shqyrtimin e të gjitha njoftimeve/kërkesave për dorëheqje.
Referuar analizës së pakove të dorëheqjeve nga PK-ja dhe informacioneve zyrtare të pranuar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) lidhur me rastet e hapura penale/apo administrative në proces, ka rezultuar se tetëdhjetë (80) zyrtarëve të përfshirë në listën e njoftimit të dorëheqjeve iu është pranuar dorëheqja. Ndaj të njëjtëve ka vazhduar procesi i njoftimit dhe lëshimi i vendimit mbi dorëheqjen.
Procesi i pakove të dorëheqjeve për punonjësit e tjerë është duke vazhduar sipas procedurave dhe afateve ligjore në fuqi, të njëjtat janë në proces të analizës dhe shqyrtimit, përderisa punonjësit e tjerë në proces, do të ftohen për kompletimin dhe vazhdimin e procedurave të mëtejme.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, ku për të gjitha procedurat e mëtejme rreth këtij procesi do t’iu mbajë të informuar. /2LONLINE/