Në kuadër të strategjisë “Policimi në Bashkësi”, Policia e Kosovës është në implementim e sipër të Projektit “Siguria gjatë sezonës verore” e iniciuar nga Stacioni Policor në Gjilan respektivisht njësiti për Komunitete, ndërsa është mbështetur edhe nga OSBE.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se Policia e Kosovës bashkë me faktorët tjerë relevantë, KKSB-së, OSBE, KLSP dhe përfaqësues të disa fshatrave, dhe lagjeve të qytetit të Gjilanit, Drejtoria për Emergjencë dhe Shpëtim, Zjarrfikësit, FSK etj., mbështetur nga komanda e stacionit policor të Gjilanit, kanë identifikuar tri dukuri aktuale që përcjellin sezonin e Verës:
1.Evitimi i Rrezikut nga Pusetat (bunarët) dhe gropat e hapura dhe të mbushura me ujë.
2.Parandalimi i Zjarr-vënieve
3.Parandalimi i Përdorimit të Armëve gjatë Dasmave-Ahengjeve
Policia e Kosovës ka realizuar aktivitete në terren me qëllim të identifikimit të hershëm të vendeve të rrezikshme që fëmijët mund t’i përdorin për freskim.
Zëdhënësi Hashani tha se kontakti i zyrtareve policor me pronarët e Restoranteve dhe Hoteleve për tu njoftuar për Listën e Dasmave, njoftimi i tyre me projektin “Festo me zemër e jo me armë”, zero tolerancë për këdo që në ahengje përdorë armë, si dhe kontakti me pylltarët dhe fermerët për rastet e veçanta të zjarreve.
“Me qëllim të bashkëpunimit të ndërsjellat në parandalim të këtyre dukurive, Policia e Kosovës i thërret qytetarët dhe apelon te të gjithë që ndaj këtyre dukurive të jemi sa më bashkëpunues në mënyrë që sa më tepër të parandalojmë apo edhe mos të kemi raste ku rrezikohet jeta dhe prona e qytetarëve në tërë territorin e përgjegjësisë së Rajonit të Gjilanit”, thotë zëdhënësi Hashani.
Fushatës vetëdijësuese ia bashkëngjisim edhe një poster që identifikon dukuritë e cekura.