Njësia e Task Forcës dhe njësitë patrulluese të stacionit policor për mbikëqyrje kufitare në Zhegër (Drejtoria rajonale kufitare-Lindje) në zbatim të masave për parandalimin dhe luftimin e paligjshmërisë dhe kontrabandës kanë intensifikuar kontrollet taktike dhe operacionale në teren.
Si rezultat i kësaj, me datë 16.04.2022, në orët e mbrëmjes, bazuar edhe në analizën e rriskut dhe informacioneve inteligjente të bëra nga ana e njësive të policisë kufitare është arritur të identifikohen dy automjete: njëri i tipit Furgon dhe tjetri, automjet i tipit kombi, të dyja me ngjyrë të bardhë dhe me targa vendore.
Pas tentativës për t’iu shmangur ndalimit policor autoritetet kufitare policore kanë arritur t’i ndalojnë automjetet në fshatin Leskovicë, komuna e Vitisë (rreth 300 metra në afërsi të kufirit me Republikën e Maqedonisë veri.
Gjatë kontrollit në njërën nga to janë gjetur mallra të ndryshme (mjete të ndryshme dhe pajisje teknike të punës, etj ).
Dyshohet se malli i kontrabanduar ishte futur në territorin e Republikës së Kosovës nga Republika e Maqedonisë Veriore përmes rrugëve ilegale.
Në bashkëpunim me prokurorinë përkatëse pas hetimeve preliminare një person i dyshuar është dërguar në ndalim policor, ndërsa malli i konfiskuar i dorëzohet Doganave të Kosovës për procedura të mëtejme. /2LONLINE/