(2L ONLINE) – Kohë më parë, në Gjilan kishte ndodhur një grabitje çantash, e të dyshuarit për këtë grabitje janë arrestuar, falë edhe ndihmës së një kalimtari i cili u kishte dalë në ndihmë dy femrave që ishin atakuar nga grabitës dhe që kishin kërkuar ndihmë.
Por, e veçanta e këtij rasti është se derisa kalimtari hero, kishte lajmëruar policinë për t’ua dorëzuar njërin nga grabitësit që e kishte kapur, viktima pasi e kishte marr mbrapa çantën, ishte larguar nga vendi i ngjarjes, pa pritur patrullën e policisë.
Dhe me që nuk ka lënë asnjë identitet, tani autoritetet policore i bëjnë apel asaj, por edhe viktimave tjera të rastit që të lajmërohen në polici për të dhënë deklarata që rasti të kompletohet për gjykatë dhe të dyshuarit për veprën e kryer të dalin para drejtësisë.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se, ky rast i grabitjes ka ndodhur me 23 shkurt rreth orës 18:45 në rrugën “Skifter Arifi’’ në Gjilan e ku dëshmitari i rastit ka njoftuar policinë se kishte ndaluar një person të dyshuar pasi që i njëjti së bashku edhe me dy persona të tjerë ia kishin grabitur çantën nga krahu një femre.
Sipas dëshmitarit të rastit, ai kishte qenë duke shkuar në vendin e tij të punës dhe sapo kishte mbërritur tek rruga në fjalë që ndodhet afër varrezave, kishte dëgjuar dy femra duke bërtitur dhe duke kërkuar ndihmë.
“Dëshmitari menjëherë ishte nisur në drejtim të atyre femrave për t’i ndihmuar ku kishte vërejtur dy persona ku njëri nga ta veçse ia kishte grabitur nga krahu çantën njërës nga ato femra. Dëshmitari kishte arritur ta ndaloj të dyshuarin Xh. Rr. nga i cili edhe kishte marr çantën e grabitur dhe ia kishte kthyer viktimës së rastit. Viktima e rastit pasi e ka marr çantën nga dëshmitari, kishte vazhduar rrugën duke mos e pritur patrullën e policisë e as nuk i ka treguar dëshmitarit identitetin, gjersa edhe pas shumë përpjekjeve njësia e hetimeve nga Stacioni Policor i Gjilanit nuk kanë mundur ta takojmë viktimën”, ka thënë Hashani.
Zëdhënësi i policisë ka bërë të ditur se me këtë rast Prokurori i Shtetit të dyshuarve Xh. Rr. dhe Xh. M. u kishte lëshuar vendimin mbi ndalimin për 48 orë. Ndaj të dyshuarve pastaj është ushtruar kallëzimi penal për veprën penale “Grabitje’’, Edhe pas procedimit të lëndës në Prokurorinë Themelore, Policia e Kosovës njësiti i hetimeve nga stacioni policor i Gjilanit kanë vazhduar ta kërkojnë viktimën e këtij rasti, mirëpo deri më sot nuk e kanë gjetur.
“Me sugjerim edhe të Prokurorit u bëjmë thirrje viktimës ose viktimave të këtij rasti që të paraqiten në Stacionin Policor në Gjilan apo në cilin do stacion ma të afërt për të dhënë deklaratë lidhur me rastin në fjalë, në mënyrë që lënda e kompletuar të procedohet në Gjykatë”, ka thënë zëdhënësi Ismet Hashani. /2L ONLINE/