Policia e Kosovës vetëm gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 474 gjoba ndaj qytetarëve të cilët nuk i kanë respektuar masat e marra nga institucionet shëndetësore për parandalimin e përhapjes së Covid-19.
“Policia e Kosovës me institucionet relevante në gjithë vendin ende po punojnë për implementimin e ligjit anti-Covid 19 dhe respektimin e masave për parandalim. Qëllimi kryesor i punës së përbashkët mbetet ruajtja e rendit dhe sigurisë por edhe kujdesi i vazhdueshëm ndaj jetës dhe shëndetit të qytetarëve tanë në periudhën nëpër të cilën po kalojmë”, thuhet në një njoftim të policisë.
Përndryshe, deri më tani numri total i rasteve pozitive me COVID-19 është 107.120 raste nga 582.797 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.237 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 331 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 100.943 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.940. /2LONLINE.com/