/2L ONLINE/ – Policia e Kosovës, në Rajonin e Gjilanit i ka metodat e saja të punës dhe të marrëdhënieve që i zhvillon me publikun dhe në këtë kontekst ajo ka vendosur, që kësaj here, për punën e saj përgjatë vitit 2015, t’i raportojë publikut më të gjerë, përmes një takimi publik, që do ta mbajë të premten më 29 janar në Teatrin e Qytetit, me fillim në ora 14:00, e ku do të paraqiten drejtuesit policorë, të cilët ftojnë të gjithë të interesuarit të jenë prezentë, për të parë se çfarë ka punuar Policia e Kosovën, Stacioni Policor në Gjilan, përgjatë vitit 2015.
Mbase është rast i parë, së paku në këtë rajon, që një iniciativë e tillë merret nga Policia e Kosovës që raportin e punës njëvjeçare ta ndaj publikisht me të gjithë të interesuarit, dhe se kjo sipas major Remzi Azemit, komandant i Stacionit policor në Gjilan, bëhet me arsye të avancimi të mëtutjeshëm të transparencës, fitimin e mëtutjeshëm të besimit qytetarë në organet e rendit, si dhe në vazhdimin dhe rritjen e e mëtutjeshëm të bashkëpunimi ndërmjet policisë dhe qytetarëve.
“Kemi ndërmarrë një hap të tillë për ta ndarë raportin e punën me çdo të interesuar, për t’u njoftuar ata, më për së afërmi, me atë se çfarë ka punuar policia përgjatë 2015-tës, cilat janë të arriturat, cila ka qenë dhe është situata e sigurisë, por do t’i përgjigjemi edhe interesimit të të pranishmëve për çështje që ata i ngrisin aty dhe janë në kompetencën tonë”, ka thënë për Portalin 2L ONLINE, major Remzi Azemi, komandant i Stacionit Policor të Gjilanit. /2L ONLINE/