Policia e Kosovës, në kuadër të luftës për parandalim dhe luftim të veprave të kundërligjshme, e në veçanti kontrabandës, me datën 24.10.2023 rreth orës 11:25 në hyrje të fshatit Dobërçan, ka ndalur një automjet me targa vendore me ç’rast gjatë kontrollit të automjetit janë gjetur dhe janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme e duhanit të përpunuar.
Paketimet me duhan ishin të klasifikuara sipas emërtimeve të markës së duhanit:
• “Marlboro” e kuqe (karton i cigareve) 6 thasë nga 30 paketime x 0.5 kg, gjithsej 90 kg
• ”Marlboro” e bardhë (karton i cigareve) 8 thasë nga 30 paketime x 0.5 kg gjithsej 120 kg
• ”Luckies Strike” (karton i cigareve) 9 thasë nga 30 paketime x 0.5 kg gjithsej 135 kg
• ”Winston” (karton i cigareve) 9 thasë nga 30 paketim x 0.5 kg gjithsej 135 kg
Totali i përgjithshëm është 32 thasë (najloni) me nga 30 paketime, gjithsej 960 paketime x 0.5 kg., në total 480 kg duhan i përpunuar.
Lidhur me rastin e lartcekur është njoftuar prokurori kujdestar, e cili ka urdhëruar që të iniciohet rast ‘kontrabandim me mallra’ ndërsa malli i konfiskuar është dërguar në doganë për procedura të mëtutjeshme.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e të gjitha dukurive negative dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave përgjegjës pavarësisht funksionit që ata kryejnë, thuhet në njoftimin e policisë. /2LONLINE/