Me datën 19.12.2024 në Prishtinë, me mbështetjen e misionit të OSBE-së, Policia e Kosovës organizoi punëtorinë njëditore për vlerësimin e zbatimit të Strategjisë së Integruar të Policimit të Drejtuar nga Inteligjenca dhe Policimit në Bashkësi dhe Planit të Veprimit 2021-2025, e cila përmban 5 objektiva strategjike, 27 nën objektiva dhe 99 aktivitete.
Ky është vlerësimi i katërt vjetor dhe qëllimi i tij është t’iu ofrojë pjesëmarrësve një pasqyrë të progresit aktual për aktivitetet gjatë vitit 2024, si dhe i njëjti do të përdoret për të identifikuar vështirësitë gjatë zbatimit të planit të veprimit dhe për të nxjerrë rekomandime për zbatim në të ardhmen.
Në këtë punëtori me një fjalë hyrëse pjesëmarrësve iu drejtua drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës kolonel Gazmend Hoxha, i cili e vlerësoi mjaft të rëndësishme dhe të nevojshme implementimin e kësaj strategjie, e cila vlerësohet si një strategji bazë për implementimin edhe të strategjive tjera, të cilat ndihmojnë, lehtësojnë dhe avancojnë punën e Policisë së Kosovës, e në veçanti të avancimit të bashkëpunimit dhe partneritetit me komunitetin, si çelës i rritjes së vazhdueshme të sigurisë, integritetit, imazhit dhe besimit policor në vend. U kërkua që kjo strategji të implementohet dhe të monitorohet si e tillë, si dhe të planifikohet për vazhdimin e saj në të ardhmen.
Anëtarët e grupit punues të PK-së bënë një përmbledhje mbi zbatimin e planit të veprimit brenda detyrave sipas kompetencës së departamenteve dhe drejtorive policore.
Pjesë e kësaj punëtorie ishin edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Inspektoratit Policor të Kosovës, misionit të OSBE-së në Kosovë, ICITAP-it, UNDP-së dhe drejtorët e divizioneve e drejtorive rajonale të PK-së, të cilët kontribuuan me komentet dhe rekomandimet e tyre. /2LONLINE/