Policia e Kosovës, në Rajonin e Gjilanit përkatësisht pjesëtarët e saj, si gjithmonë janë të angazhuar maksimalisht për të qenë në shërbim të qytetarëve të vendit, pa dallim.
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë përherë të gatshëm dhe të përkushtuar në kryerjen e detyrave të tyre me dinjitet, në luftën e pakompromis ndaj të gjitha veprimtarive kriminale, me të vetmin qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë për të gjithë.
Policia ka qenë dhe vazhdon të jetë në shërbim të qytetarëve dhe vendit edhe përgjatë periudhës së pandemisë nëpër të cilën po kalojmë, duke i kryer detyrat e saj në bazë të ligjit.
Përveç detyrave të parapara me ligj, policia nuk heziton asnjëherë për të qenë pjesë e aktiviteteve nga të cilat kanë dobi qytetarët dhe vendi, qoftë në aksione humanitare, ndihmës së ofruar kategorive të ndryshme të shoqërisë, të moshuarve, rinisë, nxënësve si dhe me të vegjëlve.
Për nxënësit dhe më të vegjlit, Policia e Kosovës në Rajonin e Gjilanit, përveç̧ ofrimit të sigurisë dhe krijimit të një ambienti prosperues, përherë është treguar e gatshme ta jap kontributin e saj, qoftë me këshillime, trajnime, punëtori, ligjërata në shkolla, e aktivitete tjera, me qëllim të ngritjes së vetëdijes, qoftë të sjelljes dhe sigurisë në trafik, qoftë të largimit të tyre nga dukuritë devijante në shoqëri.
Gëzon fakti, që Policia e Kosovës për këto veprime gëzon respekt nga qytetarët, veçmas rinia, institucionet e ndryshme, përfshirë ato arsimore, për çka ndjehet falënderues.
Policia e Kosovës në Rajonin e Gjilanit do të vazhdojë të jetë e përkushtuar për të krijuar siguri dhe prosperitet për gjithë qytetarët e vet. /2LONLINE.com/
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan