Policë me biçikleta teksa patrullojnë rrugëve të Gjilan, duke e kryer punën e tyre të përditshme, tani më janë pamje të rëndomta. Për dallim prej njësive tjera patrulluese me vetura, policët me biçikleta i ke kudo, edhe nëpër hapësira më të ngushta. Krejt puna e tyre konsiston në përkujdesjen për të ofruar më shumë siguri si dhe respektim të plotë të rregullave dhe shenjave të trafikut.
Policët me biçikleta me patrullimet e tyre, rrugëve të Gjilanit, përkujdesen që të lirohen trotuaret e zëna nga parkimet e paligjshme, t’u mundësohet qasja e lirë e këmbësorëve, përcjellin respektimin e shenjave të trafikut, reagojnë edhe nëse plas ndonjë sherr, në zonën ku patrullojnë në atë moment, si dhe kryejnë detyra tjera që ua përcakton misioni që kanë.
Por, specialitet i tyre duket të jetë ngarendja pas atyre që vlerësojnë se mund të parkosh automjetin kudo dhe qysh do, e të mos ketë asnjë pasojë. Shpesh i sheh edhe te semaforët, si vrojtues të rreptë në kërkim të ndonjë “trimi” që nuk njeh rregulla trafiku.
Policët të informuar që lëvizin mbi dyrrotësh teksa përkujdesen për lirimin hapësirave për këmbësorë, por edhe për automjete, kur zihet rruga, shihen teksa japin këshilla, vërejtje, udhëzojnë qytetarë e shoferë për veprime te ligjshme, por nuk përtojnë ta nxjerrin edhe bllokun e dënimeve, e as ta ftojnë “merimangën” në ndihmë.
Por, ndonëse të gjitha këto veprime, sidomos ato ndëshkuese, mund ‘t’ia ngrysin fytyrën atij që ka bërë parkimin e pavend, ato mirëpriten nga të tjerët, që vlerësojnë shumë reagimin e policëve, madje ka të tillë që kërkojnë nga policët të vazhdojnë edhe në pjesë të tjera ku parkingjet ilegale kanë zhduk “trotuaret”, duke bërë që në rrugë për automjete të lëvizin edhe këmbësorët.
E, kur këta policë e kryejnë punën si mirë, gjejnë kohë edhe për relaks, bashkëbiseda me qytetarë, e nuk përtojnë të marrin edhe ndonjë “pozë” për t’u regjistruar ndonjë foto që do të mbetet kujtim i një ditë pune rutinore, me mbishkrimin: “Policia e Kosovës nê çdo kohë në shërbim të qytetarëve”. /M.Halili/