Sot, me datë 26 dhjetor 2019, me rastin e fundvitit, Policia e Kosovës ka organizuar një ceremoni përmbyllëse për fundvit, ku të pranishëm kanë qenë personalitete të larta vendore e ndërkombëtare, përfshirë zyrtarë policor të profileve të ndryshme.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z.Rashit Qalaj gjatë fjalimit të tij ka prezantuar të arriturat dhe rezultatet pozitive të kësaj periudhe kohore të këtij viti, si dhe sfidat me të cilat është ballafaquar Policia e Kosovës.
Këto të arritura Drejtori Qalaj ua ka dedikuar zyrtarëve policor në terren, njësiteve policore, hetueseve policor, e të gjithë atyre përfshirë stafin civil dhe atë menaxhues, që me punën e tyre të pakursyer kanë arritur me sukses ti realizojnë objektivat strategjike të PK-se, të orientuara drejt ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, parandalimit të krimit dhe arritjes së rezultateve pozitive në të gjitha fushat policore, përfshirë;
Rastet kanë shënuar ulje nga 40.447 në 36.536 ose -9.66%
Veprat penale kanë shënuar ulje nga 29.535 në 24.631 ose -16.60%
Vrasjet kanë shënuar ulje nga 32 në 19, ose -40.62%
Lëndimet e rënda trupore kanë shënuar ulje nga 274 në 245 ose – 10.58%
Lëndimet e lehta trupore kanë shënuar ulje nga 2.908 në 2.595 ose – 10.76%
Vjedhjet kanë shënuar ulje nga 5.402 në 4.131 ose -23.52%
Vjedhjet e rënda kanë shënuar ulje nga 4.353 në 3.421 ose -21.41%
Grabitjet kanë shënuar ulje nga 261 në 147 ose -43.67%
Vdekjet e personave në aksidente kanë shënuar ulje nga 110 në 103 ose -6.36%
Në këtë ceremoni në fjalimin e tij Kryeministri në detyrë z. Ramush Haradinaj, ndër të tjera shprehu falënderimin, mirënjohjen dhe besimin për Policinë e Kosovës, ku dhe shfrytëzoi rastin që Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës z. Rashit Qalaj, ti dhuroj medaljen e kryeheroit “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”.
Po ashtu me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua edhe Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme z.Ekrem Mustafa, i cili poashtu nuk i kursej fjalët më të mira për Policinë e Kosovës, duke lavdëruar për punën dhe kontributin e dhënë si institucion.
Në këtë ceremoni Drejtori i Përgjithshëm i PK-së, z.Rashit Qalaj, në shenjë mirënjohjeje dhe përkrahjeje i ndau një pllakate Kryeministrit në detyrë z.Haradinaj, si dhe ndau dy (2) medalje Mburojë e Policisë, dy (2) medalje për Shërbim të Dalluar, njëmbëdhjetë (11) medalje Policore për Lëvdim, nëntëmbëdhjetë (19) Lëvdata dhe trembëdhjetë (13) Mirënjohje.
Ndërsa Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme ndau dy (2) medalje Policore për Trimëri, ku njëra ndër to i është dhënë familjarëve të zyrtarit policor të rënë në detyrë, heroit Izet Demaj.