Policia e Kosovës në Gjilan, sot me datën 05.04.2023, rreth orës 08:45, është informuar për një rast grabitje i ndodhur në rrugën ,,Idriz Seferi’’ në Gjilan.
“Njësitet policore relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në bazë të hetimeve preliminare dyshohet se, dy persona të maskuar, duke përdorur spray, kanë arritur që viktimës, shtetas i Kosovës, t’ia grabisin një çantë në cilën kishte një shumë të konsiderueshme të parave”, ka bërë me dije, Valon Osmani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan
Sipas tij, të dyshuarit pas grabitjes janë larguar në drejtim të panjohur.
“Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit i cili rastin e ka cilësuar ,,Grabitje’’, të dyshuarit janë vënë në kërkim nga Policia e Kosovës, ndërsa rrethanat e rasti po hetohen nga hetues policor rajonal në Gjilan”, ka bërë me dije zëdhënësi Osmani. /2LONLINE/