Drejtori i Policisë së Serbisë, Millorad Veloviq ka paralajmëruar të enjten pas bisedimeve që ka zhvilluar me homologun maqedonas Mitko Çavkov, se policisë serbe e cila patrullon kufirin me Maqedonisë, së shpejti do të bashkohen edhe policët nga Austria me qëllim parandalimin e kalimit ilegal të emigrantëve.
Veloviq gjatë bisedimeve me Çavkov në hapësirat e përbashkëta të qendrës kontaktuese në pikën kufitare Tabanoc të Preshevës, që lidhë Serbinë me Maqedoninë, ka vlerësuar se bashkëpunimi i policisë së dy vendeve është shumë i mirë, mirëpo ka hapësirë për përmirësim, sidomos kur bëhet fjalë për kontrollimin e kalimeve ilegale të emigrantëve.
Siç raporton agjencia “Beta”, sipas Veloviq, policia serbe në kufi me Maqedoninë çdo ditë ndalon një mesatare prej 150 emigrantëve ilegalë, derisa policia maqedonase në afërsi të kufirit me Greqinë mesatarisht arrit të ndalojë deri në 200 kalime ilegale të emigrantëve.
“Nuk pres zvogëlim të këtij numri në periudhën në vijim. Ka njohuri të caktuara se në mesin e këtyre njerëzve mund të ketë edhe prej atyre që janë të gatshëm të kryejnë akte terroriste”, ka thënë Veloviq dhe ka shtuar se me qëllim të parandalimit dhe kontrollimit të kalimit ilegal të emigrantëve është intensifikuar bashkëpunimi i policisë së Serbisë me policinë e Hungarisë, Austrisë, Gjermanisë dhe shteteve tjera.
Drejtori i policisë ka vazhduar duke thënë se detyra më e rëndë e policisë serbe është “mbulimi i kufirit në drejtim të Hungarisë”, për çka edhe është intensifikuar bashkëpunimi me policinë hungareze me të cilën edhe organizohen patrullime të përbashkëta.
“Në këtë rajon si ndihmë policisë serbe i kanë ardhur edhe 20 policë nga Gjemania. Presim edhe kolegë nga Austria të cilët do të vendosen në kufirin me Maqedoninë. Thelbi i pranisë së këtyre forcave është që ata të vërtetojnë vet se për çfarë problemi bëhet fjalë, dhe se ky është problem i gjithë Evropës”, ka shtuar Veloviq.
Ai ka thënë se në kohët e fundit, pasi që është shtuar vëzhgimi në kufirin me Maqedoninë, emigrantët ilegalë kanë filluar më intenzivisht që të kalojnë në Serbi përmes Bullgarisë, që deri më tani nuk ishte zakonshme.
“Në ditë kemi edhe deri në 40 persona të cilët (ilegalisht) nga Bullgaria kalojnë në territorin e Serbisë afër Zajeçarit dhe ky numër çdo ditë është në rritje”, ka thënë Veloviq. /Titulli.com/