Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është e gatshme që nesër të ofrojë siguri në të gjithë vendin për votuesit kosovarë. Ajo me kohë i ka kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme policore përmes hartimit dhe implementimit të planit operative policor për ofrimin e sigurisë para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor.
Zëdhënësi në Policinë e Kosovës, Baki Kelani tha për Radio Kosovën, se Policia e Kosovës në të gjitha drejtoritë rajonale ka angazhuar një numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policor të cilët do të kujdesen për mbarëvajtjen e Procesit Zgjedhor, për ruajtjen e rendit të qetësisë publike si dhe për rastet e mundshme penale.
”Ka një numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë të kyçur në këtë plan të cilët do të kujdesen për gjithë mbarëvajtjen e Procesit Zgjedhor duke filluar edhe me angazhimet e përbashkëta edhe me Institucionet tjera të Sigurisë, bazuar edhe në marrëveshjen e memorandum mirëkuptimit ndërmet të të gjitha agjencive”, theksoi ai.
Edhe koordinatorja Nacionale për zgjedhje, Laura Pula, ka thënë se janë caktuar 100 prokurorë dhe në shumë vende që së bashku me hetues nga Policia e Kosovës do të kooperojnë për të luftuar çdo lloj veprimtarie që bie ndesh me veprat penale kundër të drejtave të votimit. Ajo ka thënë se do t’i arrestojnë dhe ndalojnë të gjithë personat të cilët në një apo mënyrë tjetër do të veprojnë kundër të drejtave të votimit.
Ndryshe, për zgjedhjet e 8 qershorit janë certifikuar 30 subjekte politike me gjithsej 1235 kandidatë që garojnë për ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Janë akredituar 29 mijë e 775 vëzhgues vendor dhe ndërkombëtarë në 2 mijë e 374 vendvotime që do të thotë se të drejtë vote për zgjedhjet parlamentare kanë 1 milion e 782 mijë e 54 votues. Edhe në këto zgjedhje KQZ-ja do të implementoj projektin ‘key vote’ ku do të bëjë publikimin e rezultateve preliminare.